Transmetuar më 04-07-2026, 16:15

Tiranë, 4 korrik 2026 – Avokati Gentian Serjani, përfaqësues ligjor i protestuesit të arrestuar Niko Qarkaj, ka deklaruar se klienti i tij është dhunuar gjatë qëndrimit në ambientet e paraburgimit dhe se nuk ka marrë ndihmën e nevojshme mjekësore pas krizave epileptike që, sipas tij, ka pësuar.

Në një prononcim për News24, Serjani tha se Qarkaj ndodhet në grevë urie që prej momentit të arrestimit, ndërsa pretendoi se ai ka shfaqur disa episode të krizave epileptike gjatë qëndrimit në qeli.

Sipas avokatit, klienti i tij është transportuar me ambulancë pas arrestimit, por nuk mban mend ngjarjet që pasuan, duke pretenduar se është kërcënuar dhe dhunuar nga efektivët e policisë.

Serjani bëri të ditur se i është drejtuar Prokurorisë me një kërkesë për shqyrtimin e rastit, duke argumentuar se gjendja shëndetësore e Qarkajt nuk e lejon mbajtjen në paraburgim. Ai shtoi se deri më tani nuk ka marrë një përgjigje nga organi i akuzës.

Avokati tha gjithashtu se ka njoftuar institucionin e Avokatit të Popullit dhe do t’i drejtohet edhe Komitetit Shqiptar të Helsinkit, me kërkesën për verifikimin e pretendimeve të ngritura.

Deri në publikimin e këtij lajmi, Policia e Shtetit dhe institucionet përgjegjëse nuk kanë reaguar zyrtarisht lidhur me pretendimet për dhunë dhe mungesë të trajtimit mjekësor ndaj të arrestuarit.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit