

Tiranë, 4 korrik 2026 – Këngëtari Alban Skënderaj ka reaguar publikisht pasi imazhi i tij u përfshi në aksionin simbolik të protestuesve në Tiranë, të cilët vendosën shenja të kuqe mbi portretet e disa figurave publike, duke kritikuar atë që e konsiderojnë mungesë reagimi ndaj zhvillimeve të fundit në vend.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, artisti njoftoi se koncerti i tij "MOTIV", i planifikuar të zhvillohej gjatë muajit gusht në Vlorë, nuk do të mbahet sipas planit dhe është shtyrë për një datë ende të pacaktuar.
Skënderaj bëri të ditur se projekti ishte përgatitur prej muajsh, por tha se rrethanat aktuale e kanë shtyrë të rishqyrtojë organizimin e aktivitetit.
"Për shkak të situatës së krijuar në vend kam vendosur që koncerti i planifikuar në Vlorë të mos zhvillohet ose të shtyhet për një datë të pacaktuar", shkroi ai.
Në reagimin e tij, këngëtari theksoi se muzika duhet të shërbejë si një element që afron njerëzit dhe shprehu shpresën që situata në vend të zgjidhet në mënyrë paqësore dhe qytetare.
Deklarata e Skënderajt vjen në një moment kur një pjesë e artistëve dhe figurave publike janë përfshirë në debatin publik lidhur me qëndrimet e tyre ndaj protestave. Ditët e fundit, në rrjetet sociale dhe gjatë tubimeve janë shfaqur kritika ndaj disa personazheve të njohur për mungesën e reagimeve publike.
Koncerti "MOTIV" mbetet i shtyrë, ndërsa artisti nuk ka njoftuar ende një datë të re për zhvillimin e tij.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






