Transmetuar më 04-07-2026, 14:32

Tiranë, 4 korrik 2026 – Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH) ka zhvilluar operacionin e saj të parë në terren me njësinë e specializuar taktike, e përbërë nga agjentë të trajnuar dhe të armatosur, në kuadër të forcimit të kapaciteteve operacionale të institucionit.

Operacioni u zhvillua mbrëmjen e 1 korrikut në Durrës, ku u arrestua Adi Çoba, i shpallur në kërkim nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) në kuadër të operacionit "Ura". Sipas burimeve, arrestimi u krye në një banesë në zonën e plazhit, pa hasur rezistencë nga i dyshuari.

Pas arrestimit, telefoni celular i sekuestruar është dërguar për ekspertim në laboratorët e BKH-së. Paralelisht, hetuesit po verifikojnë edhe veprimet e strukturave policore për të përcaktuar nëse ka pasur ose jo neglizhencë apo shmangie në ekzekutimin e masave të sigurisë ndaj personave të shpallur në kërkim.

Sipas informacioneve të siguruara nga hetimet, janë lokalizuar edhe 24 persona të tjerë të dyshuar, të cilët dyshohet se fshihen në Tiranë, Durrës, Vlorë, Fier dhe Elbasan. Këto qytete kanë qenë nën monitorim nga njësia speciale e BKH-së gjatë dy javëve të fundit, me fokus identifikimin e vendndodhjes së personave në kërkim.

Burime nga hetimi bëjnë me dije se disa prej të kërkuarve dyshohet se qëndrojnë në vila dhe resorte luksoze në zonat bregdetare të vendit.

Angazhimi i drejtpërdrejtë i BKH-së në operacione për ekzekutimin e masave të sigurisë ishte paralajmëruar një ditë më parë nga drejtuesi i SPAK gjatë raportimit në Kuvend, ku u theksua se BKH do të marrë një rol më aktiv në arrestimin e personave në kërkim dhe zbatimin e vendimeve gjyqësore.

Aktualisht, BKH po vijon riorganizimin e strukturave të saj hetimore, duke përqendruar punën te lufta kundër krimit ekonomik, hetimi i aseteve, vëzhgimi operacional dhe lokalizimi i personave të dyshuar si pjesë e grupeve kriminale.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit