

Prestigjiozja britanike BBC i ka kushtuar një artikull zhvillimeve më të fundit politike dhe tensioneve që po kalon Shqipëria, duke u ndalur specifikisht te pakënaqësitë e brendshme që kanë përfshirë kampin socialist. Në këtë kuadër, media ndërkombëtare ka marrë një prononcim nga deputetja tashmë e pavarur, Marjana Koçeku, e cila ka lëshuar akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar atë si pjesë kryesore të problemit për të cilin rinia po proteston çdo ditë.
Koçeku, anëtarja më e re e Parlamentit shqiptar në moshën 25-vjeçare, u përzgjodh vitin e kaluar nga vetë Rama si kandidate në qarkun e Shkodrës, pas repitacionit të saj si aktiviste mjedisore. Megjithatë, ajo ka vendosur të shkëputet përfundimisht nga Partia Socialiste, duke deklaruar se mosha dhe parimet e saj nuk e lejonin të qëndronte në rresht për të duartrokitur qeverinë e për të bërë sikur nuk po ndodh asgjë.
Në intervistën e saj për BBC, deputetja e pavarur theksoi se kryeministri po përballet me një humbje të ndjeshme të besimit publik. “Ai nuk i frymëzon më njerëzit dhe mendoj se kjo e ka çuar në një krizë të madhe legjitimiteti. M’u desh pak kohë ta kuptoja se përtej fasadave të bukura që duken kaq të shkëlqyera, realiteti nuk është i njëjtë. Dhe njerëzit po e kuptojnë gjithnjë e më shumë çdo ditë”, u shpreh Koçeku. Artikulli i BBC-së vëren se pavarësisht qëndresës së dyanshme, ku protestuesit refuzojnë të largohen nga rrugët e Tiranës dhe Rama refuzon të dorëhiqet, kriza politike mbetet e ndezur.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






