

Ekspertiza e pajisjeve elektronike të sekuestruara në zyrat e shtetasit Armand Shakaj ka nxjerrë në dritë të dhëna të reja që lidhen me llogari të kriptomonedhave, duke i dhënë një dritësim të ri hetimeve për vrasjen e Eglant Koçit. Provat e rikuperuara nga ekspertët e Laboratorit Kriminalistik forcojnë dyshimet e grupit hetimor se krimi i rëndë ka pasur motive financiare. Mbi bazën e këtyre materialeve, prokuroria po shqyrton mundësinë e ndryshimit të kualifikimit të veprës penale nga "vrasje me dashje" në një akuzë më të rëndë.
Sipas dinamikës së rindërtuar nga hetimi, Armand Shakaj dyshohet se ka vrarë mikun e tij, Eglant Koçi, duke e qëlluar me një plumb në kokë, dhe më pas e ka hedhur trupin në një humnerë në zonën e Elbasanit. Trupi i pajetë i viktimës u gjet rreth dy javë pas ngjarjes në gjendje të avancuar dekompozimi.
Autoriteti policor bën me dije se i dyshuari Armand Shakaj vijon të jetë në arrati dhe mbetet në kërkim. Ndërkohë, strukturat hetimore po zhvillojnë kontakte të vazhdueshme me familjarët e tij, me qëllim bindjen e të kërkuarit për t’u vetëdorëzuar përpara drejtësisë.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






