Transmetuar më 04-07-2026, 11:55

Pika Kufitare e Morinit po përjeton fundjavën me qarkullimin më të lartë për këtë vit, e kushtëzuar nga nisja e sezonit turistik veror dhe rritja e ndjeshme e hyrje-daljeve mes Shqipërisë dhe Kosovës. Sipas të dhënave zyrtare, gjatë 24 orëve të fundit në territorin shqiptar kanë hyrë 29,918 shtetas dhe 136 autobusë, ndërsa në drejtim të Kosovës kanë dalë 26,176 qytetarë.

Ky fluks masiv ka krijuar radhë të gjata automjetesh në hyrje të pikës kufitare, veçanërisht në harkun kohor mes orës 05:00 dhe 10:00 të mëngjesit, megjithëse autoritetet kanë vënë në funksion gjashtë sportele për përpunimin e dokumentacionit të udhëtarëve. Rritja e menjëhershme e lëvizjeve lidhet me fundjavën e parë të muajit korrik, periudhë që shënon nisjen masive të pushimeve për shumë familje nga Kosova drejt plazheve shqiptare.

Trafik i rënduar si pasojë e volumit të lartë të mjeteve është regjistruar edhe përgjatë aksit të Rrugës e Kombit në drejtim të zonave bregdetare. Pavarësisht vonesave të krijuara, udhëtarët shprehen se zbatimi i marrëveshjes për lëvizjen e lirë mes dy vendeve lehtëson ndjeshëm procedurat kufitare, duke shmangur pritjet akoma më të gjata në sportele.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit