Transmetuar më 04-07-2026, 11:33

Arti shqiptar ka pësuar një humbje të madhe sot me ndarjen nga jeta në moshën 99-vjeçare të aktorit të njohur Koço Qendro, një prej personaliteteve më jetëgjatë dhe të vlerësuar të skenës dhe kinemasë shqiptare. I lindur në Senicë të Delvinës, Qendro u përfshi që në rini si partizan në Luftën Nacionalçlirimtare në qarkun e Korçës, ndërsa karrierën artistike e nisi në fillim të viteve ’60 me Estradën e Maliqit për t’u bërë më pas pjesë e pashkëputur e trupës së Teatrit "A.Z. Çajupi" të Korçës.

Gjatë karrierës së tij të pasur disadekadëshe, Qendro ka realizuar role të spikatura që kanë lënë gjurmë në historinë e teatrit, si interpretimi i Sir Enry Egidi te "Nata e Dymbëdhjetë" e Shekspirit nën regjinë e Pirro Manit. Një tjetër pikë kulmore e karrierës së tij ishte roli i Harpagonit te "Koprraci" i Molière-it, me regji të Dhimitër Orgockës, të cilin e interpretoi në dy periudha të ndryshme (në vitin 1976 dhe 2005), duke fituar edhe çmimin "Aktori më i Mirë" në festivalin "Apollon" në Fier.

Përveç aktivitetit si aktor, ai dha një kontribut të çmuar në dokumentimin e historisë së teatrit në rajonin e Korçës, duke punuar për ngritjen e arkivit dhe sallës së muzeut të këtij institucioni. Për meritat e tij në luftë dhe në fushën e artit, Koço Qendro është dekoruar me gjashtë medalje dhe tre urdhra shtetërorë, mes të cilëve "Ylli i Kuq" dhe Urdhri "Naim Frashëri".

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit