Transmetuar më 04-07-2026, 11:19

Inspektor Enea Mekolli u shua në krye të detyrës pak javë më parë në aksion policor për kapjen e një krimineli të dyshuar, operacion që u vesh me dyshime serioze edhe nga shteti, për misterin përse drejtoria e Korçës nuk kërkoi forca speciale nga eprorët e Tiranës.

Në përpjekje për të ndihmuar familjen e të ndjerit, kolegët e tij mblodhën 7 milionë lekë të cilat i kaluan në llogari bankare bashkëshortes dhe iu komunikua sot nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, raporton noa.al.

Ai gjithashtu i dorëzoi familjes së Dëshmorit të Atdheut medaljen e mirënjohjes, akorduar Inspektorit Enea Mekolli, pas aktit të tij sublim në krye të detyrës.

Sakaq, djali i Dëshmorit të Atdheut tashmë ka statusin “Fëmijë në përkujdesje të Republikës”.

Me rastin e ditëlindjes së djalit të Dëshmorit të Atdheut, Hita, i shoqëruar nga drejtues të lartë të Policisë së Shtetit, zhvilloi një vizitë në familjen Mekolli.

Skënder Hita: "E di që asnjë fjalë dhe asnjë mbështetje nuk mund ta zëvendësojë Enean. Unë nuk jua kthej dot Enean tonë, por dua t’ju siguroj se nuk do të jeni kurrë vetëm. Unë, Policia e Shtetit, çdo punonjës policie, Ministria e Brendshme dhe Qeveria Shqiptare do të jemi gjithmonë pranë jush, për t’ju mbështetur në çdo nevojë dhe në çdo moment.

Djali i Eneas mbushi një vjeç. Është një ditëlindje e mbushur me dhimbje për mungesën e babait, por edhe me krenari për trashëgiminë që ai i ka lënë.

Djali i Dëshmorit tonë tashmë ka statusin "Fëmijë në përkujdesje të Republikës" dhe deri në përfundimin e arsimit të lartë, do të përfitojë pagën e plotë të Eneas, arsim dhe shërbim shëndetësor falas, si dhe të gjitha të drejtat e tjera që parashikon ligji. I urojmë jetë të gjatë, shëndet dhe mbarësi këtij engjëlli. Urojmë që të rritet me krenarinë se babai i tij dha jetën në shërbim të atdheut dhe të qytetarëve."

Drejtori i Përgjithshëm i dorëzoi familjes dokumentacionin që njeh djalin e Dëshmorit me statusin “Fëmijë në përkujdesje të Republikës”, medaljen e mirënjohjes të akorduar Inspektorit Enea Mekolli për aktin sublim në krye të detyrës, si dhe çekun simbolik me vlerën 7 milionë lekë të rinj (shumë e transferuar në llogarinë bankare), kontribut i punonjësve të Policisë së Shtetit në shenjë solidariteti për familjen e Dëshmorit.

Familjarët e Dëshmorit, mes dhimbjes dhe krenarisë, shprehën mirënjohjen për të gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit për solidaritetin dhe kontributin e dhënë në mbështetje të familjes së tyre.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit