

Burimet në Bogovë të Shqipërisë ishin arsyeja pse Yu Ting kishte nxjerrë leje qëndrimi në vendin tonë.
Udhëtimi në Shqipëri
Siç zbuloi një ditë më parë emisioni i Mega Channel, “Live News”, një klient i saj nga Kina po kërkonte një vend të përshtatshëm për të ndërtuar një fabrikë për ambalazhimin e ujit.
“U ishte fiksuar që donin të bënin fabrikë uji. Bëhet fjalë për një burim në një mal në Shqipëri. Është ujë shumë i mirë, por nuk u bë asgjë. Ajo shkoi dy herë”, ka thënë një ndërmjetëse pronash.
Sipas ndërmjetëses me origjinë shqiptare, e cila bashkëpunonte me të, herën e parë që 50 vjeçarja Yu Ting udhëtoi drejt Shqipërisë, ajo shkoi bashkë me investitorin kinez dhe me vjehrrën e saj.
“Nuk qëndroi shumë ditë në Shqipëri. Herën e fundit shkoi me vjehrrën e saj për dy ditë. M’u lut të shkoja edhe unë, por nuk isha mirë me shëndet dhe nuk shkova”, ka treguar ndërmjetësja.
Vjehrra e saj kishte folur të premten e kaluar në emisionin e Skai Tv, “Fos Sto Tounel”.
“Nuk kishim shumë kontakte dhe as shumë biseda. Thjesht ‘mirëmëngjes’, ‘si je?’, ‘mirë’, ‘natën e mirë’, kaq. Nuk ishte shumë e hapur, sepse ishte e zënë. Zakonisht e merrja unë. Në 90% të rasteve i shkruaja unë”, kishte thënë ajo.
Ndërmjetësja deklaroi për “Live News” se udhëtimi ka ndodhur, sipas saj, rreth muajit prill 2026.
“Mendoj në prill. Shkuan vetëm për ta parë vendin. Herën e dytë ishin me disa kinezë, isha edhe unë aty për të përkthyer. Kinezët kanë shtëpi edhe këtu. Nuk flasin greqisht. Janë kinezë seriozë. U kishim treguar edhe disa ndërtesa, por nuk bëmë asgjë. As atje, as këtu”, tha ajo.
Hetimet vazhdojnë
Hetimet po zhvillohen në disa drejtime. Bashkëshorti i të zhdukurës, përmes një aplikacioni, kishte gjetur dy vendndodhje të celularit të saj, një në Mitilini dhe një në Karpenisi të Greqisë.
Megjithatë, autoritetet nuk gjetën asnjë gjurmë në këto dy zona. Për këtë arsye, misteri vazhdon, ndërsa telefoni i saj ndaloi së dhëni sinjal mesditën e 20 majit.
Në të njëjtën kohë, “Live News” publikoi telefonatat pa përgjigje dhe mesazhet që bashkëshorti i Yu Ting i kishte dërguar që nga pasditja e 20 majit, por pa marrë asnjë reagim.

Bashkëshorti ndodhej në Kinë për arsye pune që prej 21 prillit. Ai komunikonte çdo ditë me Yu Ting përmes aplikacionit WeChat. Megjithatë, kontakti mes tyre u ndërpre papritur më 20 maj, ditën kur humbën gjurmët e 50-vjeçares.
Më 10 qershor, 21 ditë pas zhdukjes, vëllai i bashkëshortit hyri për herë të parë në banesën në Artemida. Aty familjarët kuptuan se Yu Ting ishte zhdukur. Po atë ditë ata denoncuan zhdukjen në komisariat dhe nisën kërkimet për gjetjen e saj.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






