

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka zgjedhur Malin Rushmore për të përcjellë një mesazh të fortë politik dhe patriotik në kuadër të festimeve për 250-vjetorin e Deklaratës së Pavarësisë së SHBA-së. Gjatë fjalimit të tij, kreu i Shtëpisë së Bardhë u bëri thirrje qytetarëve që të mbrojnë liritë e parashikuara nga etërit themelues, ndërsa paralajmëroi për atë që ai e cilësoi si një "ringjallje të kërcënimit komunist" në tokën amerikane, duke shënjestruar krahun progresiv të Partisë Demokratike.
Në deklaratën e tij, Trump e lidhi retorikën antikomuniste me çështjen e imigracionit, duke u shprehur se të sapoardhurit që përqafojnë ide në kundërshtim me mënyrën amerikane të jetesës duhet të dëbohen me shpejtësi. Ky qëndrim vjen në një moment specifik politik, kur po afrohen zgjedhjet e mesit të mandatit të nëntorit dhe ku kandidatët progresivë demokratikë kanë shënuar fitore në zgjedhjet paraprake në disa shtete kyçe si Nju Jork, Kolorado, Ohajo dhe Teksas.
Faza tjetër e festimeve zhvendoset në Uashington D.C., ku Presidenti ka planifikuar një fjalim të gjatë në National Mall në kuadër të aktivitetit "Salute America 250 Celebration & Fireworks", event i cili parashikohet të mbyllet me një shfaqje masive prej 850 mijë fishekzjarrësh, pavarësisht temperaturave të larta që pritet të arrijnë deri në 41 gradë Celsius.
Përvjetori jubilar e gjen vendin e ndarë politikisht, ku popullariteti i presidentit ndikohet nga tensionet në Iran dhe kostoja në rritje e jetesës. Për më tepër, organizimet paralele të festimeve përmes organizatës "Freedom 250", e lidhur me Trump, kanë nxitur debate dhe bojkot nga komiteti zyrtar dypartiak "America250". Sipas një sondazhi të fundit të Universitetit Quinnipiac, 61% e amerikanëve ndajnë mendimin se vendi aktualisht nuk po i përmbush idealet e përcaktuara në vitin 1776.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






