

PRISHTINË – Shoqata e Qumështarëve dhe Shoqata e Prodhuesve të Qumështit në Kosovë u kanë bërë thirrje institucioneve që të zgjerojnë kontrollet në të gjitha fabrikat përpunuese të qumështit, me qëllim verifikimin e përbërjes dhe cilësisë së produkteve që hidhen në treg.
Përfaqësuesit e sektorit shprehen se përdorimi i vajit të palmës dhe qumështit pluhur në produktet e qumështit dëmton prodhuesit vendas, ul kërkesën për qumësht të freskët dhe cenon besimin e konsumatorëve.
Reagimi vjen pas kontrolleve të kryera më 2 korrik nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) në fabrikën "Vita" në Istog. Pas inspektimit, kompania pezulloi përkohësisht aktivitetin, ndërsa AUV bëri të ditur se gjatë kontrollit u morën mostra për analiza laboratorike dhe u konstatuan mospërputhje me legjislacionin në fuqi.
Sipas Agjencisë, në ambientet e fabrikës u gjetën qumësht UHT, qumësht pluhur, proteina qumështi, hirrë qumështi dhe vaj palme. Nga ana tjetër, kompania i ka cilësuar kontrollet si të paligjshme, selektive dhe të motivuara politikisht.
Ramadan Memaj, përfaqësues i Shoqatës së Qumështarëve, deklaroi se përdorimi i lëndëve zëvendësuese nuk është një fenomen i ri dhe se inspektimet duhet të shtrihen në të gjithë industrinë, për të garantuar konkurrencë të ndershme në treg.
Në të njëjtën linjë u shprehën edhe Gani Durmishi dhe kryetari i Shoqatës së Prodhuesve të Qumështit, Naser Bajraktari, të cilët kërkuan kontrolle të rregullta për të gjitha kompanitë përpunuese dhe largimin nga tregu të produkteve që nuk përputhen me etiketimin ose përmbajtjen e deklaruar.
Edhe pse AUV nuk ka konfirmuar zyrtarisht zgjerimin e aksionit, burime brenda institucionit kanë bërë të ditur se kontrollet në sektorin e përpunimit të qumështit do të vazhdojnë dhe se shkeljet do të trajtohen me "zero tolerancë".
Debati për përdorimin e qumështit pluhur dhe vajit të palmës ka nisur prej muajsh. Në prill, fermerët ngritën shqetësimin se rreth 30% e qumështit të prodhuar në Kosovë mbetej i pashitur, duke akuzuar industrinë për uljen e blerjes së qumështit të freskët në favor të lëndëve zëvendësuese.
Si përgjigje, Ministria e Bujqësisë miratoi masa që parashikojnë etiketim të detyrueshëm të produkteve, ndalimin e përzierjes së qumështit të freskët me produkte që përmbajnë qumësht pluhur ose vaj palme, si dhe vendosjen e akcizës për qumështin pluhur.
Megjithatë, të dhënat e Doganës së Kosovës tregojnë se importi i vajit të palmës dhe qumështit pluhur ka vijuar edhe pas hyrjes në fuqi të këtyre masave, ndonëse në sasi më të ulëta. Nga janari deri në qershor janë importuar rreth 1.9 milionë euro vaj palme dhe 1.1 milionë euro qumësht pluhur.
Ekspertët e teknologjisë ushqimore theksojnë se përdorimi i vajit të palmës nuk është i ndaluar, por ai duhet të deklarohet qartë në etiketë. Sipas tyre, forcimi i kontrolleve mbetet thelbësor për garantimin e sigurisë ushqimore dhe transparencës ndaj konsumatorëve.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






