

MIAMI, SHBA – Argjentina siguroi me shumë vështirësi kualifikimin për në fazën e 1/8-ave të Kupës së Botës 2026, pasi mposhti 3-2 Kepin e Gjelbër vetëm pas kohës shtesë, në një nga ndeshjet më spektakolare të këtij edicioni.
Kampionët në fuqi hasën një kundërshtar që i vendosi në vështirësi gjatë gjithë sfidës. Debutuesit nga Kepi i Gjelbër zhvilluan një paraqitje mbresëlënëse, duke fituar admirimin e tifozëve me lojën e guximshme dhe organizimin në fushë.
Lionel Messi zhbllokoi rezultatin në minutën e 29-të, pasi kontrolloi bukur një pasim të Lisandro Martinez dhe mposhti portierin Vozinha me të majtën. Ky ishte goli i shtatë i kapitenit argjentinas në Botërorin 2026 dhe i 20-ti në historinë e tij në Kupat e Botës.
Sfida e sotme ishte gjithashtu ndeshja e 30-të e Messit në gjashtë edicione të Kupës së Botës, rekord që e bën futbollistin me më shumë paraqitje në historinë e turneut. Ai vazhdon të kryesojë edhe renditjen e golashënuesve të këtij Botërori me shtatë realizime.
Kepi i Gjelbër reagoi në pjesën e dytë dhe barazoi në minutën e 59-të me Deroy Duarte. Pavarësisht përpjekjeve të Argjentinës, koha e rregullt u mbyll 1-1, edhe falë pritjeve vendimtare të portierit Vozinha.
Në minutën e 92-të, Lisandro Martinez riktheu Argjentinën në avantazh, por Lopes Cabral realizoi një supergol në minutën e 103-të, duke barazuar sërish shifrat në 2-2.
Goli i kualifikimit erdhi në minutën e 111-të. Pas një goditjeje nga këndi, Cristian Romero devijoi topin me kokë, ndërsa Borges e dërgoi pa dashje në rrjetën e portës së tij, duke vulosur fitoren 3-2 të Argjentinës.
Pavarësisht eliminimit, Kepi i Gjelbër largohet nga Botërori me kokën lart. Kombëtarja afrikane, në pjesëmarrjen e saj të parë në një Kupë Bote, regjistroi katër barazime në kohën e rregullt, përfshirë ato ndaj Spanjës, Uruguait, Arabisë Saudite dhe Argjentinës, duke konfirmuar potencialin e saj në arenën ndërkombëtare.
Në fazën e 1/8-ave, Argjentina do të përballet me Egjiptin më 7 korrik, në orën 18:00 (me orën shqiptare), në një duel që premton spektakël mes Lionel Messit dhe Mohamed Salah.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






