Transmetuar më 03-07-2026, 20:30

Ambasada e Federatës Ruse në Shqipëri ka reaguar pas deklaratave të ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, dhe kreut të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, të cilët kanë deklaruar se pas protestave që po zhvillohen prej 34 ditësh në Shqipëri qëndron Moska.

Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, ambasada shprehet se deklarata të tilla "ngjallin habi" dhe i cilëson ato si "krejtësisht të pabaza". Sipas saj, Rusia zbaton parimin e mosndërhyrjes në punët e brendshme të shteteve të tjera dhe respekton zgjedhjet e popujve dhe qeveritë e zgjedhura në mënyrë legjitime.

Në reagim thuhet gjithashtu se Moska i uron popullit shqiptar sukses dhe mirëqenie, pavarësisht situatës politike dhe nivelit aktual të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Ambasada ruse shpreh keqardhje që, sipas saj, nuk është hera e parë që politikanë shqiptarë flasin për një "ndikim dashakeq" të Rusisë në zhvillimet e brendshme të vendit. Në përfundim të reagimit, ajo u bën thirrje autoriteteve shqiptare të tregojnë më shumë përgjegjësi në deklaratat publike dhe të shmangin, sipas saj, "kërkimin e armiqve aty ku nuk ekzistojnë".

Deklaratat e zyrtarëve shqiptarë erdhën në kuadër të reagimeve mbi protestat që po zhvillohen në vend, ndërsa autoritetet kanë ngritur shqetësime për ndikime të mundshme të aktorëve të huaj në zhvillimet politike.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit