Transmetuar më 03-07-2026, 20:23

Kursi i këmbimit të lekut ndaj euros ka regjistruar një rënie të ndjeshme gjatë ditës së sotme, duke zbritur për herë të parë në histori nën nivelin e 94 lekëve.

Sipas kursit zyrtar të publikuar nga Banka e Shqipërisë, një euro u këmbye sot me 93.88 lekë, duke shënuar një rënie prej 0.19 lekësh krahasuar me ditën e mëparshme. Kjo përbën rënien më të madhe ditore të euros gjatë këtij viti.

Në raport me fillimin e vitit, monedha e përbashkët europiane është zhvlerësuar me më shumë se 3%, ose me mbi 3 lekë.

Mesatarisht, gjatë periudhës nga 3 janari deri më 3 korrik, një euro është këmbyer me rreth 95.8 lekë, ndërsa mesatarja e vitit 2025 ishte 97.8 lekë.

Nëse krahasohet me mesataren e vitit 2015, kur euro këmbehej me rreth 140 lekë, monedha europiane është zhvlerësuar në Shqipëri me rreth 40%, ose me më shumë se 46 lekë.

Sipas aktorëve të tregut, rënia e euros lidhet me një sërë faktorësh, mes tyre edhe flukset e parave informale që hynë në vend pas vitit 2016 dhe që u orientuan kryesisht drejt sektorit të ndërtimit.

Pas vitit 2022, një ndikim gjithnjë e më i madh ka ardhur edhe nga turizmi, ndërsa hyrjet e shtetasve të huaj në vend në vitin 2025 tejkaluan shifrën e 12 milionëve.

Rënia e regjistruar ditët e fundit lidhet kryesisht me faktorët sezonalë. Megjithatë, aktorët e tregut thonë se situata paraqitet disi kaotike dhe është e vështirë të kuptohet qartë se çfarë po ndodh në tregun valutor.

Zhvlerësimi i euros ka goditur rëndë eksportuesit, por edhe sektorin e turizmit, i cili një pjesë të madhe të të ardhurave i arkëton në euro. Po ashtu, rënia e monedhës europiane ka ulur vlerën e remitancave që emigrantët dërgojnë në Shqipëri.

Nga ana tjetër, kjo situatë ka qenë e favorshme për importuesit, të cilëve u nevojiten më pak euro për të blerë të njëjtën sasi mallrash. Përfitues është edhe buxheti i shtetit, pasi paguan më pak për borxhin e jashtëm, si dhe qytetarët shqiptarë që udhëtojnë jashtë vendit për pushime.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit