Transmetuar më 03-07-2026, 20:21

TIRANË – Qytetarë dhe mbështetës të protestës u mblodhën këtë të premte në Tiranë në protestën e 34-t radhazi, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Tubimi nisi në sheshin "Skënderbej", ndërsa më pas protestuesit marshuan drejt godinës së Kryeministrisë, ku u mbajtën fjalime dhe u përsëritën kërkesat e tyre.

Organizatorët u bënë thirrje qytetarëve nga e gjithë Shqipëria, si edhe shqiptarëve që jetojnë në diasporë, t’i bashkohen protestës, duke theksuar se objektivi i tyre mbetet largimi i kryeministrit nga detyra. Sipas tyre, protestat do të vijojnë edhe në ditët në vazhdim deri në realizimin e kësaj kërkese.

Gjatë marshimit, protestuesit brohoritën slogane kundër qeverisë, mes tyre "Shqipëria nuk shitet", "Rama jepe dorëheqjen", "Lironi çunat" dhe kërkuan lirimin e personave të arrestuar gjatë protestës së mëparshme. Ata deklaruan se do të vazhdojnë mobilizimin për pjesëmarrje sa më të gjerë në tubimet e ardhshme.

Grupi nismëtar për organizimin e Kuvendit Kombëtar të Protestës njoftoi sakaq se ka miratuar në mënyrë unanime platformën dhe kriteret e anëtarësimit pas një mbledhjeje pesëorëshe.

Organizatorët njoftuan se emrat e kontribuuesve do të mbahen të fshehtë për t’i mbrojtur, sipas tyre, nga reprezaljet.

Ata thanë se procesi për mbledhjen e Kuvendit do të vijojë dhe se protestuesit duhet të kenë përfaqësimin e tyre.

“Vëllezër e motra, dëshirojmë t’ju informojmë se pas një takimi i cili zgjati 5 orë të plota, Grupi Nismëtar për organizimin e Kuvendit Kombëtar të Protestës, miratoi në unanimitet platfomën dhe kriteret e anëtarësimit.

Na u nevojitën 34 ditë për të arritur në këtë pikë, ku kemi pasur pafund shkopinj nën rrota, por Zoti është më i madh dhe është me ne!

Mirënjohje pafund për kontribuesit (emrat nuk i themi sot për ti mbrojtur nga raprezaljet, por të mirën s’ua harrojmë).

Kuvendi, me hir a me pahir do të mblidhet!

Protestuesit kanë nevojë për përfaqësim dhe ne jemi aty për këtë. Kjo gjë nuk diskutohet!

Siç është e padiskutueshme kërkesa dhe vullneti i Sovranit për dorëheqjen e Edi Ramës!”, deklaroi një prej nismëtarëve, Klajdi Bello.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit