Transmetuar më 03-07-2026, 16:56

AFRIKA E JUGUT – Gjykata e Lartë në Durban ka dënuar me nga dy burgime të përjetshme tre persona të shpallur fajtorë për rrëmbimin, grabitjen dhe vrasjen e çiftit britanik Rachel dhe Rodney Saunders në shkurt të vitit 2018.

Rachel Saunders, 64 vjeç, dhe bashkëshorti i saj Rodney Saunders, 73 vjeç, botanistë të njohur me shtetësi britanike dhe afrikano-jugore, u rrëmbyen teksa mblidhnin bimë dhe fara të egra në pyllin Ngoye, rreth 150 kilometra në veri të Durbanit. Trupat e tyre u gjetën disa ditë më vonë në lumin Tugela.

Të dënuarit janë Safidin Aslam Del Vecchio, 46 vjeç, bashkëshortja e tij Fatima Patel, 35 vjeç, dhe shtetasi malavian Ahmad Musa. Ata u shpallën fajtorë muajin e kaluar, ndërsa këtë javë morën dënimin nga Gjykata e Lartë e Durbanit.

Përveç burgimit të përjetshëm për vrasjen e çiftit, tre të pandehurit u dënuan edhe me 15 vjet burg për grabitje me rrethana rënduese dhe katër vjet për vjedhje. Del Vecchio mori gjithashtu pesë vite burg shtesë për një akuzë të veçantë për dëmtim të qëllimshëm të pronës. Dënimet do të vuohen njëkohësisht.

Sipas autoriteteve të Afrikës së Jugut, autorët vodhën sende personale të viktimave, përfshirë kartat bankare, të cilat u përdorën për të tërhequr dhe shpenzuar rreth 734 mijë paund. Automjeti i çiftit u gjet i braktisur dhe me gjurmë gjaku.

Hetimet zbuluan se Del Vecchio dhe Patel ishin lidhur më herët me një çështje të veçantë kundër terrorizmit. Në vitin 2018 ata u akuzuan edhe për ngritjen e një flamuri të organizatës terroriste ISIS në rezervatin ku u zhduk çifti, çka forcoi dyshimet e autoriteteve për lidhjet e tyre me grupin ekstremist.

Rachel dhe Rodney Saunders drejtonin një biznes të specializuar për mbledhjen dhe tregtimin e farërave në Cape Town dhe ndodheshin në një ekspeditë kërkimore kur u rrëmbyen. Del Vecchio dhe Patel u arrestuan pesë ditë pas zhdukjes së tyre, pasi gjatë kontrollit në banesë u gjetën sende që u përkisnin viktimave. Ahmad Musa u arrestua rreth tre javë më vonë si bashkëpunëtor në krim.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit