

TIRANË – Avokati Dorian Matlija i ka bërë thirrje Prokurorisë së Tiranës që, krahas hetimit të protestuesve të ndaluar gjatë tubimit të një dite më parë para Kuvendit, të verifikojë edhe veprimet e efektivëve të Policisë së Shtetit gjatë ndërhyrjes.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Matlija shprehet se pamjet filmike të protestës tregojnë raste kur qytetarë të neutralizuar ose në largim janë goditur me shkop gome dhe shkelma, janë tërhequr zvarrë, si edhe ndaj tyre është përdorur gaz lotsjellës dhe spraj.
Sipas tij, veprime të tilla nuk mund të justifikohen si masa për ruajtjen e rendit publik dhe duhet të jenë objekt i një hetimi penal.
Avokati sjell në vëmendje nenin 3 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, i cili ndalon trajtimin çnjerëzor ose poshtërues, duke theksuar se ky është një nga parimet absolute të Konventës dhe nuk lejon përjashtime, pavarësisht rrethanave.
Në reagimin e tij, Matlija kërkon që përgjegjësia penale të mos kufizohet vetëm te protestuesit, por të shtrihet edhe ndaj çdo efektivi policie dhe eprori që mund të ketë tejkaluar kompetencat gjatë ndërhyrjes.
Ai thekson gjithashtu se protesta, pavarësisht nëse është zhvilluar me ose pa leje, nuk përbën vepër penale, ndërsa veprime si hedhja e vezëve, mbajtja e pankartave, ulja në shesh apo bllokimi paqësor, sipas tij, nuk duhet të trajtohen si krime.
Në përfundim, Matlija apelon që Prokuroria të hetojë me të njëjtin standard si veprimet e protestuesve, ashtu edhe çdo pretendim për përdorim të tepruar të forcës nga ana e policisë, duke theksuar se zbatimi i barabartë i ligjit është thelbësor për ruajtjen e besimit te drejtësia.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






