

SHKODËR – Një operacion i Policisë së Shtetit ka çuar në zbulimin e një call center-i në lagjen "Vasil Shanto" në Shkodër, ku dyshohet se ushtrohej veprimtari e mashtrimit kompjuterik. Në kuadër të operacionit të koduar "Network", u arrestuan katër persona të dyshuar si organizatorë dhe drejtues të aktivitetit, ndërsa 61 punonjës u proceduan penalisht në gjendje të lirë.
Sipas Policisë, të arrestuarit janë administratori i subjektit, F.P., 37 vjeç, banues në Bajzë, si dhe L.M., 43 vjeç, B.N., 41 vjeç dhe N.B., 42 vjeç, banues në Shkodër. Hetimet paraprake tregojnë se ata organizonin dhe drejtonin veprimtarinë e dyshuar kriminale, duke menaxhuar grupet e punonjësve të call center-it.
Gjatë ndërhyrjes në ambientet e subjektit, efektivët kapën në flagrancë 61 punonjës, ndaj të cilëve ka nisur procedimi penal.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 152 pajisje elektronike, përfshirë kompjuterë, laptopë dhe pajisje të tjera që dyshohet se përdoreshin për kryerjen e mashtrimit kompjuterik. Po ashtu, u sekuestrua një shumë parash dhe materiale të tjera me interes për hetimin.
Operacioni u zhvillua nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Shkodër, në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në Policinë e Shtetit, pas hetimeve të kryera me metoda proaktive dhe nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për vijimin e hetimeve dhe kryerjen e veprimeve të mëtejshme.
Njoftimi
Shkodër / Finalizohet operacioni i koduar “Netëork”.
Zbulohet në lagjen “Vasil Shanto”, një call center ku dyshohet se kryhej mashtrim kompjuterik. Arrestohen në flagrancë 4 shtetas, organizatorë dhe drejtues të kësaj veprimtarie. Procedohen penalisht 61 punonjës, të cilët u kapën në flagrancë gjatë ndërhyrjes së Policisë, në call center.
Sekuestrohen 152 pajisje elektronike, nëpërmjet të cilave dyshohet se kryhej mashtrimi, si dhe materiale të tjera me interes për hetimin.
Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Shkodër, në bashkëpunim me specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, si rezultat i hetimeve të kryera me metoda proaktive, në funksion të një procedimi penal, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, organizuan dhe finalizuan operacionin e koduar “Netëork”.
Si rezultat i operacionit u arrestuan në flagrancë shtetasit: -F. P., 37 vjeç, banues në fshatin Bajzë, administrator i subjektit; -L. M., 43 vjeç, B. N., 41 vjeç dhe N. B., 42 vjeç, të tre banues në Shkodër.
Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas organizonin veprimtarinë kriminale të mashtrimit kompjuterik në këtë subjekt dhe drejtonin grupet e punonjësve. Gjatë operacionit, në ambientet e subjektit u kapën në flagrancë, gjatë ushtrimit të aktivitetit, 61 shtetas, për të cilët nisi procedimi në gjendje të lirë.
Gjatë kontrollit të ambienteve u gjetën dhe sekuestruan me cilësinë e provës materiale, 152 pajisje elektronike (kompjuterë, laptopë dhe pajisje të tjera të përdorura për ushtrimin e veprimtarisë), një shumë parash, si dhe materiale të tjera me interes për hetimin. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






