Transmetuar më 03-07-2026, 14:29

Tiranë – Kryeministri Edi Rama mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit të Shkollës Kombëtare të Fluturimit, të cilën e cilësoi një projekt strategjik për modernizimin e Forcave të Armatosura dhe forcimin e kapaciteteve të aviacionit ushtarak shqiptar.

Gjatë fjalës së tij, Rama tha se projekti, i cili sipas tij u prit fillimisht me skepticizëm dhe kritika, është tashmë një realitet që hap perspektiva të reja për trajnimin e pilotëve shqiptarë dhe të vendeve partnere.

Kryeministri falënderoi kompaninë Elbit Systems, duke e cilësuar një nga liderët botërorë në teknologjinë ushtarake, për mbështetjen dhe ekspertizën e ofruar në ngritjen e shkollës.

Sipas Ramës, shkolla do të jetë e hapur jo vetëm për stërvitjen dhe certifikimin e pilotëve shqiptarë, por edhe për pilotët e rinj nga vendet anëtare të NATO-s në rajon, duke nisur me Kosovën.

"Ministri i Mbrojtjes është ngarkuar të diskutojë me homologun e Kosovës mundësinë e trajnimit dhe certifikimit të pilotëve të ardhshëm të Forcës së Sigurisë së Kosovës, si edhe me vendet e tjera fqinje anëtare të NATO-s", deklaroi Rama.

Ai theksoi se interesi i të rinjve për t’iu bashkuar Forcave të Armatosura është rritur ndjeshëm, duke bërë që përzgjedhja e kandidatëve të jetë më konkurruese se në të kaluarën.

Në fjalën e tij, kryeministri vlerësoi gjithashtu transformimin e Forcave të Armatosura gjatë dekadës së fundit, duke deklaruar se sot ato janë ndër më të mirëpaguarat në rajon, ndërsa objektivi i qeverisë është që pagat e efektivëve të arrijnë mesataren e vendeve të NATO-s në kuadër të vizionit "Shqipëria 2030".

Duke folur për kapacitetet ajrore, Rama deklaroi se të gjithë helikopterët e Forcave Ajrore janë aktualisht operacionalë dhe të gatshëm për sezonin veror, kur rreziku nga zjarret është më i lartë.

Ai bëri të ditur se, me aktin e fundit normativ të qeverisë, flotës ekzistuese do t’i shtohen edhe helikopterë të tjerë Black Hawk, të siguruar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

"Shqipëria do të bëhet vendi me një nga kapacitetet më të spikatura të helikopterëve në rajon, si për misionet ushtarake, ashtu edhe për përballimin e emergjencave civile", u shpreh Rama.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit