Transmetuar më 03-07-2026, 13:05

TIRANË – Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka mbërritur mesditën e kësaj të premteje në ambientet e Gjykatës Administrative, ku pritet të zhvillohet seanca e radhës gjyqësore në ballafaqimin ligjor me prokurorin e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Ols Dado.

Kjo seancë vjen pas shtyrjes së herës së kaluar, vendim i cili u mor nga togat e zeza për t’u dhënë kohën e mjaftueshme palëve ndërgjyqëse që të njiheshin zyrtarisht me kërkesën e depozituar nga shoqata “Asociacioni Kombëtar i Medias dhe Drejtësisë”. Kjo e fundit ka kërkuar ndërhyrjen në proces për t’u përfshirë si palë e tretë në gjykim.

Objekti i kësaj padie të ngritur nga kryebashkiaku Veliaj është anulimi dhe shpallja e pavlefshme e dekretit të emërimit të Ols Dados si prokuror, i firmosur në vitin 2008 nga Presidenti i Republikës së asaj kohe, Bamir Topi. Sipas pretendimeve të paditësit, emërimi i Dados në atë periudhë është kryer në shkelje të ligjit, pasi ai nuk kishte përfunduar Shkollën e Magjistraturës. Për këtë arsye, në këtë proces gjyqësor, palë e paditur krahas prokurorit është edhe Institucioni i Presidentit të Republikës.

Nga ana tjetër, organizata që kërkon të bëhet pjesë e gjykimit argumenton se çështja mbart një interes tejet të lartë publik, pasi prek drejtpërdrejt integritetin e sistemit të drejtësisë në vend, që përbën edhe një nga shtyllat kryesore të veprimtarisë së kësaj shoqate. Seanca e sotme pritet të vendosë nëse Gjykata Administrative do ta pranojë legjitimitetin e shoqatës si palë e tretë për të vijuar më pas me shqyrtimin e fthelluar të provave.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit