Transmetuar më 03-07-2026, 12:26

TIRANË – Kryeministri Edi Rama ka vijuar të komentojë zhvillimet rreth protestës së dhunshme të shënuar një ditë më parë përpara Parlamentit. Gjatë fjalës së tij në edicionin e tretë të Javës së Administratës Publike, me fokus “Shërbimin Publik për një Shqipëri Europiane”, kreu i qeverisë bëri me dije se po analizohen me kujdes të gjitha ankesat e bëra nga qytetarët e thjeshtë.

Rama nënvizoi se përtej tensioneve të dukshme politike në shesh, ekzekutivi ka detyrimin të ndalet te problematikat reale që shqetësojnë njerëzit e ndershëm për të sjellë reflektim në administratë.

Edi Rama: "Ka shumë për të reflektuar nën atë koren e zezë që është pjesa e dukshme. Ne po reflektojmë dhe po mbledhim të gjitha episodet e qytetarëve të ndershëm. Në atë rrjedhë ka shumë për të mësuar."

“Lufta ndaj korrupsionit nuk është vetëm çështje burgu”

Në kuadër të reformimit të shërbimeve, kryeministri u ndal gjerësisht te lufta ndaj korrupsionit në administratë, duke theksuar se ndryshimi po vjen nga ngritja e sistemeve mbrojtëse dhe jo nga dëshirat individuale.

"Lufta ndaj korrupsionit nuk është vetëm çështje burgu. Duhet që sistemi të të mbrojë. Ajo që po ndodh sot në Shqipëri, dhe që shpesh humbet në mjegullën dhe tymin e gjërave, është se për herë të parë sistemi po lufton me korrupsionin, jo vullnetarizmi. Kjo e demokracisë dhe e balancimit të pushteteve është e vetmja rrugë për të garantuar brezat," u shpreh kreu i qeverisë.

Inteligjenca Artificiale dhe rrugëtimi drejt BE-së

Nga lartësia e eksperiencës së tij politike, Rama vuri në dukje se shtetndërtimi kërkon hapa të matur, të hedhur me durim dhe pa zhurmë, pasi sipas tij "episodet e zhurmshme nuk e bëjnë sistemin".

Në mbyllje të fjalës së tij, ai shprehu bindjen se Shqipëria ka një avantazh të madh historik për t’u anëtarësuar me shpejtësi në Bashkimin Europian:

"Besimi im pse Shqipëria mund ta kapërcejë këtë fazë me një shpejtësi të pazakonshme lidhet me faktin që vendi ynë sot ka fatin të jetojë në epokën e teknologjisë dhe inteligjencës artificiale. Ne jemi ende në embrion, por kërkojmë që sot të jemi një vend që pranohet në BE sepse ka një administratë me standarde plotësisht europiane," përfundoi Rama.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit