Transmetuar më 03-07-2026, 12:10

DIVJAKË – Një operacion masiv antikanabis i shtrirë në tokë dhe nga ajri me dronë, i koduar "Koordinimi", ka çuar në zbulimin e një ambienti të përshtatur për tharjen dhe përpunimin e lëndëve narkotike në Divjakë. Gjatë këtij aksioni, Policia e Shtetit ka sekuestruar një sasi prej 44 kilogramësh kanabis sativа dhe ka asgjësuar mbi 1400 rrënjë.

Për shkak të vendndodhjes së kësaj "fabrike" në zonë shtetërore e të mbrojtur, blutë kanë vënë nën hetim për "Shpërdorim detyre" tre zyrtarë të Administratës Rajonale të Zonave të Mbrojtura (AdZM) në qarkun Fier.

Zyrtarët nën hetim dhe rolet e tyre

Materialet procedurale i kanë kaluar prokurorisë, e cila ka nisur procedimin në gjendje të lirë për shtetasit:

Edison Toromëni, 33 vjeç – me detyrë Përgjegjës Sektori në AdZM Fier.

Festim Hoxha, 37 vjeç – me detyrë Specialist Menaxhimi.

Gazmor Allka, 53 vjeç – me detyrë Roje.

Detajet e operacionit “Koordinimi”

Aksioni i finalizuar nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve në DVP Fier në bashkëpunim me Komisariatin e Divjakës, u përqendrua në vendin e quajtur “Rezervuari i Divjakës”. Në këtë hapësirë publike, efektivët konstatuan fillimisht 1426 bimë narkotike kanabis të kultivuara, ku një pjesë u asgjësua me anë të djegies dhe pjesa tjetër u mor si provë materiale.

Më pas, brenda ambientit të përshtatur si magazinë/tharëse, u gjetën dhe u sekuestruan:

37 kilogramë kanabis në proces tharjeje.

7 kilogramë kanabis i përgatitur në formë boçesh.

DVP Fier: "Vijon puna intensive nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për identifikimin, lokalizimin dhe kapjen e autorëve të vërtetë të kultivimit të kësaj sasisë së drogës."

Njoftimi i plotë:

Vijojnë intensivisht kontrollet në territor dhe në ambiente të mbyllura, për parandalimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike.

Zbulohet në Divjakë, një ambient i përshtatur për tharjen dhe përpunimin e bimëve narkotike. Sekuestrohen 44 kilogramë bimë narkotike kanabis, në formë boçesh/në proces tharjeje.

Gjithashtu, gjatë operacionit, u konstatuan të kultivuara 1426 bimë narkotike kanabis. Një pjesë e tyre u asgjësuan në vend, ndërsa pjesa tjetër u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Si rezultat i kontrolleve intensive në territorin e qarkut Fier, nga toka dhe nga ajri, me dronë, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Divjakë, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, kanë finalizuar operacionin e koduar “Koordinimi”.

Gjatë operacionit, në vendin e quajtur “Rezervuari i Divjakës”, në një tokë shtetërore, u gjet një ambient i përshtatur për tharjen dhe përpunimin e bimëve narkotike. Në këtë ambient u gjetën 37 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike kanabis në proces tharjeje dhe 7 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike kanabis në formë boçesh. Lënda narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, me qëllim kryerjen e ekspertimit.

Në vijim të veprimeve procedurale, specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Fier referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për 3 punonjës të Administratës Rajonale të Zonave të Mbrojtura në qarkun Fier, shtetasit: -E. T., 33 vjeç, me detyrë përgjegjës sektori, F. H., 37 vjeç, me detyrë specialist menaxhimi dhe G. A., 53 vjeç, me detyrë roje.

Vijon puna, në drejtimin e Prokurorisë së Fierit, për identifikimim dhe kapjen e autorit/ëve të kultivimit të bimëve narkotike.

Drejtoria Vendore e Policisë Fier vijon kontrollet intensive nga ajri, me dronë, dhe nga toka, me qëllim parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike.

Policia e Shtetit inkurajon qytetarët që të denoncojnë çdo rast paligjshmërie, në njësitë e Policisë ose në numrin pa pagesë 112.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit