Transmetuar më 03-07-2026, 11:19

TIRANË – Marius Dervishi, i njohur gjerësisht nga publiku në rrjetet sociale me pseudonimin “Zebervoki”, ka marrë vendimin e papritur për t’i dhënë fund karrierës së tij si efektiv në Policinë e Shtetit. Ky reagim i fortë i tij vjen fill pas tensioneve të fundit në protestat e mbajtura në kryeqytet, ku uniformat blu u përballën me kritika të shumta për menaxhimin e situatës.

Përmes një postimi të gjatë dhe emocional në llogarinë e tij në “Instagram”, Zebervoki ka bërë me dije se ditën e hënë do të dorëzojë zyrtarisht kërkesën për dorëheqje. Ai ka sqaruar se ky largim nuk lidhet me ndonjë problem brenda strukturave apo me kolegët, por me demoralizimin e thellë që ndjen nga mënyra se si perceptohet figura e policit në shoqëri.

“Media dhe populli kundër nesh, po na nxirrni autorë”

Sipas efektivit të ri, puna e përditshme dhe sakrificat e policëve në terren po anashkalohen, duke u zëvendësuar me epitete negative dhe paragjykime të përgjithësuara nga ana e opinionit publik.

Marius Dervishi (Zebervoki): "Jo sepse janë policët e këqinj, jo se nuk e dua më punën time, por thjesht sepse nuk dua të jap më asnjë lloj kontributi për asgjë. Policat gjithmonë kriminalë, policat gjithmonë dhunues, policat patronazhistë… Media kundër, populli kundër, e në fakt ne që jemi viktima po na nxirrni si autorë."

Pasioni që po braktiset nga mllefi qytetar

Marius Dervishi ka theksuar se pavarësisht mundësive të tjera që i ka ofruar jeta, ai zgjodhi me pasion të vërtetë të vishte uniformën e Policisë, por kjo dëshirë u thye nga ajo që ai e quan "urrejtje masive".

"Këtë pasion po e ‘braktis’, i nxitur nga mllefi dhe urrejtja që keni ju si popull për policat dhe nga përgjithësimi që bëni duke i konsideruar të gjithë njësoj. Unë nuk e kapërdij dot këtë lloj fushate ku në çdo gjë fajin e ka Policia," shkruan ai, duke e mbyllur mesazhin e tij me një paralajmërim: "Çka nuk e sheh syri i kamerës, e sheh Zoti lart."

Postimi i tij ka ngjallur reagime dhe debate të shumta online midis ndjekësve, duke u shpërndarë me shpejtësi në profilet e ndryshme sociale.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit