

TIRANË- Kryeministri i vendit, Edi Rama ka deklaruar ditën e sotme se qytetarët nuk dalin në protestë vetëm për halle, por edhe sepse ndihen të fyer nga administrata. Gjatë fjalës së tij në edicionin e tretë të Javës së Administratës Publike, ai tregoi rastin e një të moshuare e cila kishte marrë pjesë në protestën, ku kërkesa kryesore e qytetarëve mbetet dorëheqja e tij.
Në lidhje me këtë, ai tha se nëna e mikut të tij kishte dalë në protestë pasi thelbi i zemërimit të shumë njerëzve është administrata shtetërore. Rama tha se dikush mund të ndihet i poshtëruar nëse nuk merr shërbimin e duhur nga shteti dhe nga njerëzit që paguhen për t’i shërbyer popullit.
"Nëna e një shokut tim kishte dalë në protestë dhe i biri ishte alarmuar kur i thanë, sepse ajo është në një moshë të caktuar. Ishte kthyer në shtëpi dhe e kishte pyetur të ëmën në protestë dhe ajo i tregon thelbin e zemërimit të shumë njerëzve me administratën shtetërore. Kjo grua në moshë del në protestë sepse është e fyer.
Ky është një poshtërim dhe ndjenja e poshtërimit nga shteti yt dhe nga njerëzit që paguhen për të të shërbyer ty, është një ndjenjë që të bën të kuptosh që është kulmi. Njerëzit nuk ndjehen të fyer e të poshtëruar jo vetëm sepse nuk zgjidhin dot një hall. Por përtej faktit që e zgjidh apo nuk e zgjidh, ai mjeku është i detyruar që atij njeriu të sëmurë t’i ofrojë gjithë komoditetin që vjen nga njerëzillëku.", thotë Rama.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






