

TIRANË – Kryeministri Edi Rama ka reaguar publikisht këtë të premte lidhur me protestat e fundit të mbajtura përpara Parlamentit dhe në bulevard. Gjatë fjalës së tij në edicionin e tretë të Javës së Administratës Publike, kreu i qeverisë bëri një ndarje mes organizatorëve politikë dhe shqetësimeve reale të qytetarëve që dalin në shesh.
Rama u shpreh se, përtej asaj që ai e konsideroi si “korja e zezë” e tubimeve – ku sipas tij janë bërë bashkë “të gjithë dështakët dhe zemërakët” – ekziston një shtresë pakënaqësie e sinqertë qytetare, të cilën e quajti “uji i pastër” i protestës.
“Nga ajo rrjedhë ka shumë për të mësuar” Kryeministri nënvizoi se politika dhe administrata publike kanë detyrimin të lexojnë drejt këto mesazhe për të nxjerrë mësimet e nevojshme dhe për të përmirësuar shërbimet ndaj publikut.
Edi Rama: "Ne po përpiqemi të lexojmë protestën e bulevardit. Përveç shqetësimeve të qytetarëve që unë e quaj ujin e pastër të protestës, nën atë koren e zezë ku janë mbledhur të gjithë dështakët dhe zemërakët, në atë rrjedhë ka shumë për të mësuar."
Sfida me administratën dhe pritshmëritë e qytetarëve Gjatë aktivitetit, Rama u ndal gjerësisht te reforma në administratën shtetërore, duke e cilësuar transformimin e saj si një proces mjaft kompleks. Ai kujtoi se ligji themelor për administratën publike është miratuar një dekadë më parë dhe se sot Shqipëria ka një kualitet të ri në burimet njerëzore shtetërore.
Megjithatë, kreu i ekzekutivit pranoi se qeveria ndodhet përpara një sfide të madhe për të përmbushur pritshmëritë e larta të shoqërisë në këtë moment intensiv të rrugëtimit drejt Bashkimit Evropian, duke kërkuar më shumë reflektim ndaj ankesave të qytetarëve.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






