

TIRANË – Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka dalë me një njoftim zyrtar këtë të premte, ku ka zbardhur bilancin e plotë të procedimeve pas tensioneve dhe përplasjeve të dhunshme të regjistruara gjatë protestës së ditës së djeshme përpara Parlamentit.
Sipas bluve të kryeqytetit, operacioni ka çuar në pranga 19 persona, ndërsa 12 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu, po punohet në bazë të pamjeve filmike për identifikimin dhe kapjen e 6 shtetasve të tjerë të përfshirë në akte dhune.
Akuzat dhe personat e ndaluar
Të arrestuarit akuzohen për goditje me sende të forta ndaj forcave të rendit, dëmtim të pronës publike (përfshirë një automjet policie) si dhe për sulme ndaj deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë.
Mes të arrestuarve është edhe një prej organizatorëve të tubimit, Gent Progni (G. P., 36 vjeç). Ndërkohë, në paraburgim po mbahet edhe shtetasi Arbër Lleshaj (A. Ll., 35 vjeç), i cili akuzohet konkretisht për goditjen e një gazetari gjatë kryerjes së detyrës në terren.
Bilanci i Policisë: Nga përplasjet e djeshme para Kuvendit kanë mbetur të dëmtuar dhe kanë marrë ndihmë mjekësore 15 punonjës policie.
Lista e plotë e të proceduarve nga Policia:
Të arrestuar në flagrancë: B. K. (35 vjeç), A. E. (24 vjeç), G. P. (36 vjeç), D. B. (32 vjeç), K. P. (46 vjeç), R. D. (30 vjeç), A. Y. (40 vjeç), N. Q. (43 vjeç), Y. Sh. (52 vjeç), E. Gj. (39 vjeç), F. B. (56 vjeç), R. P. (35 vjeç), A. T. (34 vjeç), A. N. (35 vjeç), E. B. (45 vjeç), A. H. (35 vjeç), E. G. (23 vjeç), E. B. (20 vjeç) dhe A. Ll. (35 vjeç).
Të proceduar në gjendje të lirë: F. D. (63 vjeç), Sh. B. (33 vjeç), V. D. (29 vjeç), E. Gj. (38 vjeç), T. T. (43 vjeç), E. A. (31 vjeç), G. S. (20 vjeç), R. D. (30 vjeç), A. M. (39 vjeç), M. J. (47 vjeç), A. G. (47 vjeç) dhe A. K. (22 vjeçe).
Veprat penale të referuara në Prokurorinë e Tiranës përfshijnë: "Shkatërrim i pronës", "Kundërshtim dhe goditje për shkak të detyrës e punonjësit të policisë", "Prishje e rendit publike", "Organizim i grumbullimeve të paligjshme" dhe "Pengim i qarkullimit të mjeteve". Grupi hetimor po vijon këqyrjen e kamerave të sigurisë për të dokumentuar plotësisht ngjarjen.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






