Transmetuar më 03-07-2026, 09:52

JALË – Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) ka nisur një aksion paraditen e kësaj të premteje në plazhin e Jalës, me qëllim lirimin e hapësirave publike dhe zbatimin e ligjit përgjatë vijës bregdetare.

Objekt i këtij operacioni janë disa struktura me konstruksion të lehtë druri, kryesisht beach bar-e dhe ndërtime të tjera provizore, të cilat kanë rezultuar pa lejen përkatëse. Sipas të dhënave të para, këto subjekte kishin dalë jashtë hapësirave të përcaktuara nga Bashkia për ushtrimin e aktivitetit të tyre sezonal.

Në mbështetje të forcave të IKMT-së në terren janë angazhuar edhe efektivët e Policisë së Himarës, për të garantuar mbarëvajtjen e procesit.

Pronarët nisin çmontimin vullnetar

Përpara se mjetet e IKMT-së të ndërhynin për shembjen e plotë, një pjesë e pronarëve të këtyre strukturave kanë nisur vetë çmontimin vullnetar të pajisjeve dhe konstruksioneve prej druri, për të shpëtuar çfarë të munden nga materialet.

Deri më tani, situata në terren paraqitet e qetë dhe nuk është shënuar asnjë incident apo përplasje mes uniformave blu dhe operatorëve ekonomikë. Aksioni i IKMT-së pritet të vijojë edhe në orët në vazhdim, si pjesë e masave të shtrënguara për mbrojtjen e vijës bregdetare gjatë sezonit turistik.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit