Transmetuar më 03-07-2026, 07:47

TIRANË – Burrat shqiptarë janë ata që shprehin dëshirën për të qëndruar më gjatë në tregun e punës krahasuar me çdo vend tjetër europian. Ky është përfundimi i raportit më të fundit të Anketës Europiane të Kushteve të Punës (EWCS 2024), i cili analizon preferencat e qytetarëve lidhur me moshën e daljes në pension në 35 vende të Europës.

Sipas raportit, burrat në Shqipëri deklarojnë se do të dëshironin të punonin mesatarisht deri në moshën 67.4 vjeç, niveli më i lartë ndër të gjitha vendet e përfshira në studim. Pas Shqipërisë renditen Danimarka me 66.5 vjeç, Norvegjia dhe Suedia me 65.9 vjeç, si dhe Holanda me 65.5 vjeç.

Diferenca është edhe më e theksuar në krahasim me vendet e rajonit. Në Kosovë, mosha e preferuar për daljen në pension është 65 vjeç, në Serbi 63.7 vjeç, në Maqedoninë e Veriut 62.8 vjeç, në Bosnjë dhe Hercegovinë 62.5 vjeç dhe në Mal të Zi 61.7 vjeç.

Raporti thekson se dëshira për të punuar më gjatë nuk lidhet vetëm me aftësinë për të vazhduar aktivitetin profesional, por edhe me faktorë ekonomikë. Në vendet ku pensionet janë më të ulëta ose pasiguria financiare është më e madhe, preferenca për të shtyrë daljen në pension shpesh pasqyron nevojën për të siguruar të ardhura dhe jo domosdoshmërisht një zgjedhje personale.

Të dhënat e Institutit të Sigurimeve Shoqërore tregojnë se një pjesë e konsiderueshme e pensionistëve në Shqipëri përfitojnë pension të pjesshëm për shkak të mungesës së viteve të nevojshme të sigurimeve. Nga mbi 641 mijë pensionistë, rreth 55% marrin pension të pjesshëm, ndërsa pensioni mesatar në vitin 2025 ishte rreth 20 mijë lekë në muaj.

Në të njëjtën kohë, statistikat e INSTAT evidencojnë një rritje të numrit të pensionistëve që vijojnë të punojnë. Gjatë vitit 2025, numri i tyre arriti në rreth 130 mijë persona, ose afro 12% e totalit të të punësuarve të moshës 15–64 vjeç.

Edhe gratë shqiptare preferojnë pension më të vonshëm

Edhe gratë në Shqipëri renditen ndër ato që preferojnë të dalin më vonë në pension. Sipas raportit, ato deklarojnë se do të dëshironin të përfundonin aktivitetin profesional mesatarisht në moshën 63.5 vjeç, duke u renditur pas Norvegjisë, Danimarkës, Suedisë dhe Holandës.

Në rajon, kjo moshë është më e lartë se në Kosovë, Mal të Zi, Bosnjë dhe Hercegovinë, Maqedoninë e Veriut dhe Rumani.

Çfarë mat raporti

Anketa Europiane e Kushteve të Punës analizon tre tregues kryesorë për secilin vend: moshën që qytetarët dëshirojnë të dalin në pension, moshën ligjore të pensionit dhe moshën reale të daljes në pension, bazuar në të dhënat e Eurostat.

Sipas autorëve të raportit, vendimi për të vazhduar punën ndikohet nga një sërë faktorësh, përfshirë kushtet e punës, nivelin e të ardhurave, pensionin e pritshëm, gjendjen shëndetësore dhe mundësitë për punësim në moshë të avancuar.

Raporti vëren gjithashtu se në shumicën e vendeve europiane qytetarët do të preferonin të dilnin në pension më herët se mosha e përcaktuar me ligj. Shqipëria përbën një përjashtim, pasi mosha e dëshiruar për daljen në pension rezulton më e lartë se ajo ligjore, një tregues që, sipas analizës, mund të lidhet me pasigurinë ekonomike dhe nivelin e të ardhurave pas përfundimit të aktivitetit profesional.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit