Transmetuar më 03-07-2026, 07:42

PRISHTINË – Rritja e pagës minimale në Kosovë në 500 euro bruto në muaj ka hyrë në fuqi më 1 korrik, duke prekur rreth 150 mijë punëtorë të sektorit privat. Megjithatë, ekspertët e ekonomisë vlerësojnë se mbetet e paqartë nëse kjo masë do të përkthehet në një përmirësim real të standardit të jetesës, përballë inflacionit dhe rritjes së vazhdueshme të kostos së jetesës.

Vendimi për rritjen e pagës minimale u miratua nga Qeveria në tetor të vitit 2025 dhe u zbatua në dy faza, fillimisht në janar dhe më pas në korrik 2026. Paga minimale u rrit fillimisht nga 350 në 425 euro, për të arritur tashmë në 500 euro bruto.

Mungesa e një analize të detajuar

Pavarësisht hyrjes në fuqi të vendimit, deri tani nuk është publikuar një analizë zyrtare mbi ndikimin e tij në fuqinë blerëse të qytetarëve apo në ekonominë e vendit.

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka deklaruar se vendimi është marrë pas analizave dhe konsultimeve me përfaqësues të sindikatave dhe bizneseve. Megjithatë, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, kundërshton këtë qëndrim, duke theksuar se bizneset nuk janë konsultuar dhe nuk kanë parë asnjë studim apo raport mbi efektet e masës.

Edhe ekonomisti Safet Gërxhaliu vlerëson se vendimi është marrë pa një debat të gjerë ekonomik, duke argumentuar se paga minimale duhet të përcaktohet mbi bazën e inflacionit, produktivitetit dhe treguesve ekonomikë.

A mjaftojnë 500 euro?

Sipas ekspertëve, rritja e pagës minimale nuk mjafton për të mbuluar kostot mujore të jetesës së një familjeje.

Një studim i publikuar në vitin 2024 nga Instituti për Politika Sociale "Musine Kokalari" vlerëson se një familje me katër anëtarë në Kosovë shpenzon mesatarisht mbi 1.100 euro në muaj për nevoja bazë si ushqimi, strehimi, arsimi, shëndetësia dhe transporti. Në zonat urbane kjo shumë i kalon 1.200 euro.

Ekspertët argumentojnë se, në kushtet e një inflacioni rreth 6,8% dhe të një ekonomie të mbështetur kryesisht te importet, përfitimet nga rritja e pagës minimale mund të zbehen nga rritja e çmimeve.

Efektet mbi bizneset

Përfaqësuesit e biznesit paralajmërojnë se rritja e kostove të punës mund të krijojë vështirësi veçanërisht për bizneset e vogla, ndërmarrjet e reja dhe ato të mesme.

Ekonomisti Safet Gërxhaliu vlerëson se mungesa e përgatitjes së sektorit privat mund të ndikojë në uljen e numrit të vendeve të punës dhe në rritjen e presionit mbi bizneset.

Nga ana tjetër, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, nuk pret rritje të ekonomisë informale, duke argumentuar se sektori privat prej kohësh ka rritur pagat për të ruajtur fuqinë punëtore të kualifikuar. Megjithatë, ai thekson se bizneset e vogla dhe ato në fazat e para të aktivitetit do ta kenë më të vështirë të përballojnë rritjen e pagës minimale.

Rafuna shton gjithashtu se, ndryshe nga Shqipëria, ku paga minimale prej 500 eurosh nuk tatohet, në Kosovë ende nuk ka një sqarim zyrtar nëse paga minimale e re do t’i nënshtrohet tatimit mbi të ardhurat personale.

Ndërsa mijëra punëtorë do të përfitojnë nga rritja e pagës minimale, ndikimi i plotë i kësaj mase mbi fuqinë blerëse, bizneset dhe tregun e punës pritet të bëhet më i qartë në muajt në vijim.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit