Transmetuar më 03-07-2026, 07:41

VANCOUVER, KANADA – Zvicra siguroi një vend në fazën e 1/8-ave të Kupës së Botës 2026, pasi mposhti Algjerinë me rezultatin 2-0 në ndeshjen e vlefshme për raundin e 1/16-ave. Skuadra e drejtuar nga Murat Yakin do të përballet në turin e ardhshëm me fituesen e çiftit Kolumbi–Ganë.

Algjeria e nisi më mirë takimin, duke ushtruar presion dhe duke kërkuar të godiste me pasime në thellësi. Megjithatë, rastet e krijuara nuk arritën të vinin seriozisht në provë portierin Gregor Kobel.

Zvicra shfrytëzoi mundësinë e parë të pastër në minutën e 10-të. Johan Manzambi realizoi një aksion individual të shkëlqyer dhe shërbeu për Breel Embolo, i cili nuk gaboi përballë portës, duke kaluar zviceranët në avantazh.

Pas golit, skuadra helvete mori kontrollin e lojës, dominoi posedimin dhe krijoi raste të tjera shënimi. Denis Zakaria iu afrua golit të dytë me një goditje me kokë, por topi përfundoi jashtë kuadratit.

Në fundin e pjesës së parë, Algjeria reagoi dhe iu afrua barazimit. Ibrahim Maza pati rastin më të mirë në minutat shtesë, por tentativa e tij kaloi ngjitur me shtyllën, duke bërë që pjesa e parë të mbyllej me rezultatin 1-0.

Fillimi i pjesës së dytë ishte vendimtar për zviceranët. Vetëm një minutë pas rifillimit të lojës, Dan Ndoye përfitoi nga një pasiguri në mbrojtjen algjeriane dhe me një finalizim të saktë dyfishoi avantazhin.

Në përpjekje për të ndryshuar rrjedhën e ndeshjes, Algjeria hodhi në fushë Amine Gouiri, Jaouen Hadjam, Hicham Boudaoui dhe Anis Hadj Moussa, por Zvicra ruajti organizimin në mbrojtje dhe nuk lejoi rrezik serioz para portës së Kobel.

Skuadra zvicerane ishte madje më pranë golit të tretë sesa Algjeria atij të ngushtimit të diferencës. Noah Okafor, Breel Embolo dhe Fabian Rieder shpërdoruan disa mundësi të mira, ndërsa Murat Yakin menaxhoi avantazhin me zëvendësime në minutat e fundit.

Me këtë fitore 2-0, Zvicra avancon me meritë në fazën e 1/8-ave të Kupës së Botës 2026, ku do të presë fituesen e përballjes mes Kolumbisë dhe Ganës.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit