Transmetuar më 03-07-2026, 07:33

TIRANË – Rreth një në pesë të rinj në Shqipëri, të moshës 15-29 vjeç, rezultojnë jashtë tregut të punës, sistemit arsimor dhe programeve të formimit profesional gjatë vitit 2025. Të dhënat më të fundit të publikuara nga INSTAT tregojnë se 20,1% e të rinjve klasifikohen në kategorinë NEET (Not in Employment, Education or Training), duke konfirmuar se sfidat për integrimin e tyre në tregun e punës mbeten të larta.

Sipas statistikave, 38,5% e të rinjve në këtë kategori janë të papunë aktivë, pasi janë në kërkim të një vendi pune dhe të gatshëm për t’u punësuar. Ndërkohë, 19,5% janë të angazhuar në detyra familjare, si kujdesi për fëmijët ose për anëtarë të tjerë të familjes, ndërsa 1,6% klasifikohen si të dekurajuar dhe nuk kërkojnë më punë.

Një peshë të konsiderueshme zë edhe kategoria "të tjera", ku përfshihen 40,4% e të rinjve NEET. Ky tregues, sipas të dhënave, mund të reflektojë nivel të lartë informaliteti ose pasiguri në deklarimin e statusit ekonomik.

Krahasuar me vitin 2024, numri i të rinjve të dekurajuar ka shënuar një rënie të lehtë prej 0,4 pikë përqindje, megjithatë ndryshimi konsiderohet i pamjaftueshëm për të reflektuar një përmirësim domethënës në integrimin e të rinjve në tregun e punës.

Statistikat tregojnë gjithashtu dallime mes gjinive. Rreth 46,5% e meshkujve që bëjnë pjesë në kategorinë NEET janë në kërkim aktiv të punës, ndërsa kjo përqindje tek femrat është 31,9%.

Në krahasim me vendet e rajonit dhe Bashkimin Evropian, Shqipëria vijon të ketë një nivel të lartë të të rinjve jashtë punësimit dhe arsimit. Sipas të dhënave, përqindja e NEET në vend është pothuajse dy herë më e lartë se mesatarja e Bashkimit Evropian. Në rajon, Kosova regjistron nivelin më të lartë me rreth 30%, e ndjekur nga Shqipëria me rreth 20%, ndërsa Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi luhaten rreth 17%. Bosnja dhe Hercegovina, si edhe Serbia, paraqesin nivele më të ulëta, por ende mbi mesataren evropiane.

Ndërkohë, shkalla e përgjithshme e papunësisë në Shqipëri për vitin 2025 është 8,4%, ndërsa për grupmoshën 15–24 vjeç arrin në 21,5%, gati trefish më e lartë se mesatarja kombëtare.

Në të kundërt, numri i të punësuarve mbi moshën 65 vjeç ka vijuar të rritet. Sipas INSTAT, ai u rrit nga 119.862 persona në vitin 2024 në 130.274 gjatë vitit 2025. Pjesa më e madhe e tyre janë të vetëpunësuar në sektorin e bujqësisë, të cilët sipas metodologjisë statistikore konsiderohen të punësuar edhe kur aktiviteti i tyre zhvillohet në fermat familjare dhe prodhimi shërben kryesisht për vetëkonsum.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit