

TORONTO, KANADA – Portugalia siguroi kualifikimin në fazën e 1/8-ave të Kupës së Botës 2026, pasi mposhti Kroacinë me rezultatin 2-1 në një ndeshje të mbushur me emocione, polemika dhe ndërhyrje të sistemit VAR, e cila zgjati plot 110 minuta.
Pjesa e parë u mbyll pa gola, pavarësisht rasteve të krijuara nga të dyja skuadrat. Kroacia kaloi në avantazh në minutën e 53-të, kur Ivan Perišić finalizoi saktë një aksion brenda zonës.
Tetë minuta më vonë, Cristiano Ronaldo dërgoi topin në rrjetë, por goli u anulua për pozicion jashtë loje pas verifikimit nga VAR. Presioni i Portugalisë u shtua dhe, pas një ndërhyrjeje në zonë ndaj Veigës, arbitri norvegjez Espen Eskås akordoi penallti pas rishikimit të pamjeve.
Nga pika e bardhë nuk gaboi Cristiano Ronaldo, i cili barazoi shifrat në 1-1. Me këtë gol, kapiteni portugez arriti në kuotën e 11 golave në fazat finale të Kupës së Botës dhe realizoi për herë të parë në karrierë në fazën me eliminim direkt të këtij kompeticioni. Në moshën 41 vjeç e 147 ditë, ai vendosi gjithashtu një rekord si futbollisti më i vjetër që shënon në një Kupë Bote.
Kroacia mendoi se riktheu avantazhin me Sučić, por edhe ky gol u anulua për pozicion jashtë loje. Kur ndeshja po shkonte drejt fundit, në minutat shtesë Gonçalo Ramos shënoi me kokë pas një krosimi të Rafael Leaos, duke i dhënë Portugalisë avantazhin 2-1.
Në aksionin e fundit të takimit, Joško Gvardiol dërgoi topin në rrjetë për Kroacinë, por pas një konsultimi të gjatë me VAR, arbitri vendosi ta anulonte golin, një vendim që shkaktoi polemika të shumta.
Me këtë fitore, Portugalia avancon në fazën e 1/8-ave, ku më 6 korrik, në orën 21:00, do të përballet me Spanjën në derbin iberik, një nga sfidat më të forta të kësaj faze të Botërorit.
Në përfundim të takimit, Cristiano Ronaldo i kushtoi fitoren bashkëkombësit të ndjerë Diogo Jota. Kapiteni portugez veshi fanellën me numrin 21 në nder të tij dhe, mes duartrokitjeve, ngriti sytë drejt qiellit në një moment prekës për të gjithë ekipin.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






