

Flakët po vijojnë të përhapen në jug të Francës, ku zjarrfikësit po përballen me disa vatra të mëdha zjarri të favorizuara nga erërat e forta dhe temperaturat ekstreme që kanë përfshirë vendin pas valës së të nxehtit në Europë.
Sipas autoriteteve, tre zjarre kanë shkrumbuar mbi 1.200 hektarë tokë, me dy vatra pranë qytetit portual të Marsejës. Situata më e rënduar paraqitet në rajonin e Aude, pranë kufirit me Spanjën, ku flakët kanë përfshirë rreth 900 hektarë.
Rreth 800 zjarrfikës janë angazhuar në terren, ndërsa erërat e forta po e bëjnë të vështirë izolimin e zjarreve. Një vatër pranë aeroportit të Marsejës është vënë nën kontroll, ndërsa një tjetër në Lancon-Provence është neutralizuar pasi dogji rreth 260 hektarë.
Në qytetin turistik Frejus, mbi 2 mijë persona janë evakuuar nga gjashtë kampe pushimi për shkak të avancimit të flakëve.
Autoritetet dhe Organizata Botërore Meteorologjike paralajmërojnë se temperaturat rekord, lagështia e ulët dhe bimësia e tharë po rrisin ndjeshëm rrezikun e zjarreve në Europën Perëndimore, ndërsa një tjetër valë e të nxehtit pritet të godasë Francën në ditët në vijim.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






