

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka arrestuar në flagrancë katër punonjës policie në Shkodër, të dyshuar për veprën penale “Shpërdorim i detyrës”, pasi dyshohet se kanë lejuar largimin nga arresti shtëpiak të shtetasit Hasan Verracaku.
Sipas njoftimit zyrtar, AMP ndërhyri pasi u konstatua se Verracaku, ndaj të cilit ishte caktuar masa e sigurisë “Arrest në shtëpi”, nuk ndodhej në banesën ku mbahej nën mbikëqyrje të vazhdueshme policore.
Në përfundim të veprimeve hetimore u arrestuan inspektorët Dorjan Hasandoçaj, Gentian Xhanari dhe Dioniz Hotaj, si edhe punonjësi Ridvan Zefi, të gjithë pjesë e Trupës Operacionale të Njësisë së Sigurisë Kombëtare në Shkodër.
Ndërkohë, Hasan Verracaku dyshohet se ka konsumuar veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, pasi ka thyer kushtet e masës së sigurisë të vendosur nga gjykata.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër për vijimin e hetimeve.
Verracaku ndodhej në arrest shtëpiak pasi i kishin përfunduar afatet e paraburgimit dhe ruhej prej rreth tre vitesh nga efektivët e Policisë. Ai është një nga personat e dënuar për ngjarjen e rëndë të njohur si masakra e Velipojës, ku në qershor të vitit 2021 humbën jetën katër persona.
Njoftimi i AMP:
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Drejtoria Rajonale Shkodër – Lezhë) ka arresruar në flagrancë katër punonjës policie të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
Menjëherë pas marrjes së informacionit se shtetasi Hasan Verracaku, ndaj të cilit ishte caktuar masa e sigurimit personal “Arrest në shtëpi”, nuk është konstatuar në banesën ku duhej të mbahej nën mbikëqyrje dhe në ruajtje, specialistët e AMP-së kryen veprimet hetimore dhe procedurale përkatëse, në përfundim të të cilave u bë arrestimi në flagrancë, i punonjësve të policisë:
* Inspektor Dorjan Hasandoçaj; * Inspektor Gentian Xhanari; * Inspektor Dioniz Hotaj; * Punonjësit Ridvan Zefi, me detyrë pranë Trupës Operacionale të Njësisë së Sigurisë Kombëtare Shkodër
Ndërkohë shtetasi Hasan Verracaku dyshohet se ka konsumuar elementët e veprës penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, parashikuar nga neni 323 i Kodit Penal, duke thyer kushtet e masës së sigurisë të caktuar me vendim gjykate.
Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër për veprime të mëtejshme.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore mbetet plotësisht e angazhuar në mbrojtjen e ligjit, integritetit institucional dhe besimit të qytetarëve tek institucionet e sigurisë.
Ferracaku ndodhej në “arrest shtëpie” pasi i kishin përfunduar afatet e paraburgimit. Me vendim gjykate ai mbahej nën mbikëqyrje të vazhdueshme policore dhe prej rreth tre vitesh ruhej nga efektivët. Ai është një nga autorët e masakrës së Velipojës ku katër persona humbën jetën në qershor të vitit 2021.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






