Transmetuar më 02-07-2026, 17:56

Një konflikt mes anëtarëve të së njëjtës familje ka përfunduar me të shtëna me armë zjarri mesditën e së enjtes në qendër të Podujevës, ku si pasojë kanë mbetur të plagosur katër persona.

Sipas autoriteteve dhe mediave në Kosovë, në ngjarje janë përfshirë daja me nipin, si dhe një familjar i tyre, ndërsa mes të plagosurve është edhe një kalimtar i rastit.

Personat e përfshirë janë identifikuar si Fidaim Zejnullahu, Fatlum Zejnullahu, Agim Xhemaji dhe Argjend Islami, ky i fundit i papërfshirë në konflikt.

Të plagosurit janë transportuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku po marrin trajtim mjekësor. Drejtori i Klinikës së Emergjencës, Naser Syla, ka bërë të ditur se ata kanë marrë plagë të rënda, por ndodhen në gjendje stabile.

Sipas Policisë, tre prej të plagosurve kanë qenë të përfshirë drejtpërdrejt në konflikt, ndërsa personi i katërt dyshohet se është goditur aksidentalisht gjatë të shtënave.

Pamjet e publikuara nga vendi i ngjarjes tregojnë autorin me armë në dorë duke iu afruar njërit prej të plagosurve dhe duke e goditur fizikisht, derisa ndërhyrja e shpejtë e një efektivi të Policisë bëri të mundur neutralizimin dhe arrestimin e tij.

Sipas raportimeve, motivi paraprak i konfliktit lidhet me një mosmarrëveshje të mëhershme mes familjarëve. Prokuroria, në koordinim me Policinë e Kosovës, ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit