Transmetuar më 02-07-2026, 15:06

Një shtetas francez dhe një shtetase tajlandeze janë arrestuar në Pikën e Kalimit Kufitar Muriqan, pasi dyshohen për tentativë të kalimit të paligjshëm të kufirit.

Sipas Policisë Kufitare, rreth orës 13:00 të së enjtes, një automjet tip Mercedes-Benz, i drejtuar nga shtetasi francez Tom Haac, u paraqit për kontroll në dalje të territorit të Republikës së Shqipërisë.

Gjatë kontrollit të detajuar të automjetit, efektivët konstatuan se në sediljen e pasme, brenda një valixheje, ishte fshehur një shtetase me kombësi tajlandeze, e cila dyshohet se po tentohej të nxirrej në mënyrë të paligjshme nga Shqipëria.

Sipas hetimeve paraprake, destinacioni i planifikuar ishte Franca, ndërsa udhëtimi parashikohej të kryhej përmes territorit të Malit të Zi dhe Kroacisë, duke shmangur procedurat ligjore të kalimit kufitar.

Menjëherë pas zbulimit të rastit, shërbimet e Policisë Kufitare ndaluan në flagrancë dy shtetasit, siguruan vendin e ngjarjes dhe nisën veprimet procedurale në bashkëpunim me strukturat hetimore.

Autoritetet vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes, si dhe për të verifikuar nëse në këtë rast janë të përfshirë persona të tjerë ose elementë të një rrjeti të mundshëm të trafikimit të emigrantëve.

Njoftimi:

Sot, më datë 02.07.2026, rreth orës 13:00, në Pikën e Kalimit Kufitar Muriqan, gjatë ushtrimit të detyrës për kontrollin kufitar në dalje të Republikës së Shqipërisë të shtetasve dhe mjeteve, është paraqitur për kontroll dhe regjistrim shtetasi Tom Haac, me shtetësi dhe kombësi franceze, i datëlindjes 2000, duke drejtuar automjetin tip Mercedes-Benz

Automjeti iu nënshtruan kontrollit të detajuar kufitar, në përputhje me procedurat standarde të kontrollit.

Gjatë kontrollit fizik të automjetit, në sediljen e pasme, brenda një valixheje, u konstatua e fshehur një shtetase me shtetësi tajlandeze, e cila po tentohej të nxirrej në mënyrë të paligjshme nga territori i Republikës së Shqipërisë.

Menjëherë pas konstatimit të rastit, shërbimet e Policisë Kufitare proceduan me ndalimin në flagrancë të shtetasit francez dhe shtetases tajlandeze, siguruan vendin e ngjarjes dhe njoftuan Sallën e Komandimit pranë DVKM Shkodër.

Nga veprimet e para hetimore dhe deklarimet e administruara deri në këtë fazë, rezulton se qëllimi i shtetasit francez ka qenë transportimi i shtetases tajlandeze nëpërmjet territorit të Malit të Zi dhe më pas të Kroacisë, me destinacion përfundimtar Republikën Franceze, duke shmangur procedurat ligjore të kalimit dhe hyrjes në shtetet përkatëse.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit