Transmetuar më 02-07-2026, 13:29

Hasan Ferracaku, një prej personave kyç të përfshirë në ngjarjen e përgjakshme të Velipojës në vitin 2021, ka thyer masën e sigurisë dhe është arratisur nga banesa e tij në lagjen “Guerrile” të Shkodrës. Edhe pse ndodhej nën mbikëqyrje policore 24-orëshe prej afro 3 vitesh (pas përfundimit të afateve të paraburgimit), Ferracaku ka gjetur mënyrën t’i shpëtojë patrullës operative mëngjesin e sotëm.

Njoftimi zyrtar i Policisë

Sipas bluve të Shkodrës, rreth orës 05:30 të mëngjesit, shërbimet e Njësisë së Sigurisë Publike konstatuan mungesën e të hetuarit për “Vrasje me dashje” në banesën e tij.

“Menjëherë pas konstatimit, shërbimet e Policisë, në bashkëpunim me Njësinë e Sigurisë Publike Shkodër, kanë organizuar kontrolle në banesa dhe në ambiente të tjera, në të cilat dyshohet se mund të jetë fshehur ky shtetas. Grupi hetimor dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) vijojnë punën për dokumentimin e plotë të rastit,” bën me dije policia.

Kronika e masakrës së Velipojës (Qershor 2021)

Ngjarja e rëndë erdhi pas një konflikti të ashpër mes familjeve Ferracaku dhe Gocaj për ndarjen dhe vendosjen e parcelave të shezlongëve përpara hoteleve të tyre në plazhin e Velipojës. Sherri verbal degradoi në përdorimin e armëve të zjarrit në ambientet e hotelit të familjes Gocaj, ku palët ishin ulur për t’u sqaruar.

Nga përplasja e armatosur mbetën të vrarë katër persona:

Kujtim Ferracaku (59 vjeç)

Edmond Gocaj (38 vjeç)

Xhovani Gocaj (25 vjeç)

Myzerim Zeneli (20 vjeç, kamarier i hotelit, i cili kishte ditën e parë të punës)

Në atë kohë, Hasan Ferracaku dhe nipi i tij 17-vjeçar mbetën të plagosur dhe u arrestuan në spital. Sipas dosjes së prokurorisë, në vendngjarje u përdorën të paktën 4 armë zjarri (një kallashnikov nga Xhovani Gocaj dhe tre pistoleta nga pjesëtarët e familjes Ferracaku). Për këtë masakër, policia vijon të ketë në kërkim edhe tre djemtë e Hasan Ferracakut: Abedin, Shyqyri dhe Besmir Ferracaku.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit