

Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, ka vizituar në ambientet spitalore efektivët e Policisë së Shtetit të cilët mbetën të plagosur gjatë tensioneve dhe përplasjeve të dhunshme të regjistruara paraditen e sotme përpara godinës së Parlamentit.
Lamallari ka dënuar ashpër aktet e dhunës, duke i cilësuar ato si sulme vandale dhe sjellje kriminale ndaj punonjësve që ndodheshin në krye të detyrës për garantimin e rendit dhe sigurisë publike.
“Efektivët e Policisë janë punonjës të shtetit, qytetarë të Republikës dhe familjarë si çdokush tjetër. Ata janë në shërbim të ligjit, të rendit publik dhe të sigurisë së çdo qytetari, pa dallim. Sulmi ndaj tyre është sulm ndaj shtetit dhe rendit kushtetues,” deklaroi Ministri i Brendshëm.
Ministri nënvizoi se e drejta kushtetuese për tubim nuk mund të përdoret si mburojë për të ushtruar dhunë flagrante me gurë ndaj forcave të rendit. Ai paralajmëroi se të gjithë personat përgjegjës do të përballen me forcën e ligjit, duke u shprehur se shoqërimet e kryera nga policia janë vetëm hapi i parë drejt llogaridhënies përpara drejtësisë.
Në mbyllje të mesazhit të tij, Lamallari shprehu mbështetjen e plotë për trupën e Policisë së Shtetit për vetëpërmbajtjen dhe profesionalizmin e treguar në terren, si dhe u uron shërim të shpejtë dy efektivëve që po trajtohen në Spitalin e Traumës dhe kolegut të tyre të Komisariatit Nr. 5 që po merr ndihmë mjekësore në QSUT.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






