

Gjatë deklaratës së tij për mediat, kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka bërë publik emrin e një prej personave të përfshirë në tensionet përpara Parlamentit, duke argumentuar se pas akteve të dhunës qëndrojnë individë me precedentë të theksuar kriminalë.
Balla deklaroi se personi i identifikuar në protestë është shtetasi Anton Frroku, i cili sipas tij rezulton aktualisht në kërkim nga Policia e Shtetit dhe ka një historik të gjatë penal me 15 dënime brenda 20 viteve të fundit.
“Protestuesit e vërtetë sot ndahen: qytetarët që mbushin bulevardin dhe një grup personash me precedentë penalë. Kush bën dhunë, është element me precedent të rëndë kriminal. Kur kemi filluar të bëjmë transparencën, sapo kam njoftuar që njëri prej tyre, person në kërkim që s’është ndaluar, por vjen të bëjë dhunë aty, i dënuar në 20 vjet, 15 herë. Anton Frroku, është në kërkim nga policia, e keni aty,” u shpreh Balla.
Përmes këtij denoncimi, përfaqësuesi i shumicës parlamentare ka kërkuar të ilustrojë ndarjen e prerë mes qytetarëve që protestojnë për kauza reale dhe atyre që, sipas tij, shfrytëzojnë tubimet për të ushtruar dhunë ndaj forcave të rendit.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






