Transmetuar më 02-07-2026, 12:31

Një moment tejet i dhimbshëm ka goditur teknikun e Republikës Demokratike të Kongos, Sébastien Desabre, menjëherë pas eliminimit të skuadrës së tij nga Kupa e Botës. Trajneri francez është përballur me lajmin tragjik për ndarjen nga jeta të babait të tij, teksa ndodhej në transmetim të drejtpërdrejtë përpara gazetarëve.

Desabre po zhvillonte konferencën zyrtare për shtyp pas humbjes 2-1 kundër Anglisë, ku analizoi performancën e skuadrës për rreth shtatë minuta. Situata u ndërpre papritur kur përgjegjësi për mediat i Federatës Kongoleze u afrua dhe e njoftoi për humbjen e të atit. Tekniku mbeti i shtangur për pak çaste dhe u largua menjëherë nga salla duke ndërprerë komunikimin.

Ky lajm i rëndë erdhi në fund të një rrugëtimi dinjitoz të Kongos në Botërorin e zhvilluar në SHBA dhe Meksikë. Skuadra afrikane bëri një paraqitje të shkëlqyer ndaj Anglisë, duke udhëhequr ndeshjen deri në 15 minutat e fundit, përpara se të përmbysej nga golat e përzgjedhjes britanike, përfshirë rrjetën vendimtare të Harry Kane në minutën e 86-të. Sidoqoftë, pas kësaj ngjarjeje, rezultati sportiv ka kaluar tërësisht në plan të dytë për Desabre.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit