Transmetuar më 02-07-2026, 11:50

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se të gjitha të ardhurat shtesë të arkëtuara në buxhet nga rritja e çmimit të naftës do t’u kalojnë pensionistëve në formën e bonusit. Gjatë një bashkëbisedimi me këtë kategori, Rama bëri të ditur gjithashtu se performanca pozitive e ekonomisë ka lejuar zgjerimin e paketave të mbështetjes sociale dhe rritjen e fondeve për sipërmarrjen.

Kreu i qeverisë hodhi poshtë zërat se bonuset jepen për efekte elektorale, duke kujtuar se ky vendim vjen në një vit pa procese zgjedhore. Përveç pensionistëve, ai u ndal te dyfishimi i ndihmës financiare për personat dhe fëmijët me aftësi të kufizuara, si dhe te vendimi për të mbuluar nga shteti sigurimet shoqërore e shëndetësore për kujdestarët e tyre.

Nga ana tjetër, Rama prezantoi një masë të rëndësishme për sektorin privat, duke njoftuar rritjen e garancisë sovrane në 50 milionë euro. Ky fond do të vihet në dispozicion të bizneseve të vogla dhe të mesme që synojnë të zgjerojnë aktivitetin e tyre, duke u mundësuar marrjen e kredisë me interesa të buta, të ndryshme nga ato të tregut të rregullt komercial.

“Qeveria vendosi të japë një tjetër bonus për pensionistët. Vitin e shkuar u tha që po japim bonus për fushatë, nuk kemi fushatë këtë vit. Bonusi ka lidhje me vëmendjen që ju kemi premtuar se do kemi vijimsisht. Duke ju qëndruar prapë kur ekonomia na jep mundësi. Ka një komponent që nuk e kishim parashikuar, rritja e të ardhurave nga rritja e çmimit të naftës. Rritjen do ta keni ju. Edhe ata që u ankuan për rritjen e çmimit, kanë kontribuar për rritjen tuaj. E njëjta gjë për kapërcimin e parashikimeve për rritjen e të ardhurave në tërësi. Nuk janë vetëm pensionistët, por edhe personat me aftësi të kuzifuar. Dyfishuam ndihmën për personat me aftësi të kufizuar. Janë fëmijët me aftësi të veçanta, u mor vendimi, fillon zbatimi për të dyfishuar ndihmën. Është i parashikuar në çdo buxhet. Kemi pasur problemin e barrës së kujdestarëve për personat me aftësi të kufizuar, Këto do t’i aguajë shteti. Rritja e ekonomisë na ka dhënë mundësi të rrisim garancinë sovrane, ta rrisim në 50 milionë euro. Diksuh që ka hapur një biznes të vogël dhe i mungon baza financiare, nuk do jetë vetë, do i japim garanci dhe kredi me interes ndryshe nga kredia komerciale në banka”, theksoi ai.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit