Transmetuar më 02-07-2026, 11:26

Partia Demokratike ka vendosur të bllokojë pjesëmarrjen e saj në seancën e sotme plenare në Kuvendin e Shqipërisë, si reagim ndaj tensioneve jashtë parlamentit dhe asaj që e quan qasje bllokuese të mazhorancës. Përmes një deklarate zyrtare, Grupi Parlamentar i PD-së ka bërë të ditur se nuk do të jetë pjesë e punimeve për sa kohë që nuk futen në rend dite kërkesat e protestuesve dhe nismat ligjore të opozitës.

Sipas deklaratës, opozita akuzon mazhorancën se ka përdorur forcën e kartonave për të rrëzuar kërkesën për llogaridhënie nga Kryeministri dhe për të bllokuar debatin mbi Rezolutën e Parlamentit Europian. Po ashtu, PD shprehet se Konferenca e Kryetarëve ka lënë jashtë kalendarit katër projektligje të depozituara prej një muaji, të cilat lidhen drejtpërdrejt me kauzat e qytetarëve në protestë.

Katër projektligjet që kushtëzojnë opozitën:

Shfuqizimi i ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura.

Shfuqizimi i ligjit për investimet strategjike.

Shfuqizimi i Paketës së Maleve.

Shfuqizimi i disa dispozitave në ligjin për trashëgiminë kulturore.

Opozita ka dënuar gjithashtu rrethimin e godinës së Parlamentit nga qindra forca policore, duke deklaruar se një parlament nën rrethim humb misionin e tij të përfaqësimit demokratik. Sipas PD-së, prania e tyre në sallë në këto kushte vetëm sa do të legjitimonte një proces që bie ndesh me parimet e demokracisë parlamentare.

Deklarata e PD

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike dënon me forcë sjelljen e mazhorancës në Kuvendin e Shqipërisë, e cila vijon të pengojë opozitën në ushtrimin e funksioneve të saj kushtetuese dhe në përmbushjen e detyrimit për të përfaqësuar interesin e qytetarëve.

Të martën, duke përdorur forcën e kartonave, mazhoranca refuzoi kërkesën për llogaridhënie nga Kryeministri dhe zhvillimin e një debati parlamentar mbi kërkesat legjitime të qytetarëve, të cilët protestojnë prej më shumë se një muaji, si edhe mbi konstatimet dhe rekomandimet e Rezolutës së Parlamentit Europian të miratuar pak ditë më parë.

Në vijim të kësaj qasjeje bllokuese, dje, në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, mazhoranca miratoi kalendarin e punimeve të Kuvendit deri në përfundim të këtij sesioni parlamentar, pa përcaktuar datën e shqyrtimit të katër projektligjeve të depozituara prej rreth një muaji nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike. Bëhet fjalë për:

1.     Projektligjin për shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura;

2.     Projektligjin për shfuqizimin e ligjit për investimet strategjike;

3.     Projektligjin për shfuqizimin e Paketës së Maleve;

4.     Projektligjin për shfuqizimin e disa dispozitave të ligjit për trashëgiminë kulturore.

Këto iniciativa ligjore përputhen drejtpërdrejt me kërkesat e qytetarëve që protestojnë dhe me shqetësimet e ngritura në Rezolutën e Parlamentit Europian. Për këtë arsye, ato duhej të ishin përfshirë në rendin e ditës së seancës së sotme, pasi trajtojnë çështje me interes të lartë publik.

Për sa kohë mazhoranca refuzon të përfshijë këto projektligje në rendin e ditës ose të përcaktojë shqyrtimin e tyre brenda këtij sesioni parlamentar, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka vendosur të mos marr pjesë në punimet e Kuvendit në seancën e sotme dhe kërkojmë me forcë përfshirjen në procedurë parlamemtare të katër projektligjeve për diskutim dhe miratim në Kuvend.

Nga ana tjetër, konstatojmë se godina e Parlamentit është rrethuar me qindra punonjës Policie për të penguar qytetarët të protestojnë. Nëse Parlamenti zhvillon punimet nën rrethimin e Policisë së Shtetit, vetëm me qëllim të shuarjes së zërit të qytetarëve, atëherë ai humbet misionin e tij të përfaqësimit të qytetarëve.

Në kushtet kur mazhoranca vijon të refuzojë shqyrtimin e nismave ligjore të opozitës dhe Kryeministri, së bashku me Qeverinë, shmang sistematikisht llogaridhënien për çështje që prekin drejtpërdrejt interesin publik, prania jonë në seancë plenare sot nuk do t’i shërbente mbrojtjes së interesave të qytetarëve, por vetëm do të legjitimonte një proces parlamentar që po zhvillohet në kundërshtim me parimet e demokracisë parlamentare.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit