Transmetuar më 02-07-2026, 10:59

Tensione dhe incidente janë shënuar këtë të enjte, më 2 korrik, para godinës së Kuvendit, pak minuta para nisjes së seancës plenare.

Një grup qytetarësh është mbledhur sërish në protestë përpara Parlamentit, ku situata është përshkallëzuar pas përplasjeve me forcat e rendit.

Protestuesit kanë hedhur vezë dhe miell në drejtim të makinave të deputetëve, si edhe ndaj efektivëve të policisë. Ata kanë tentuar gjithashtu të çajnë kordonin e sigurisë të vendosur para godinës së Kuvendit.

Gjatë tubimit ka pasur konfrontime të herëpashershme mes protestuesve dhe policisë. Për të ndalur përpjekjet për çarjen e gardhit metalik, efektivët kanë përdorur spraj piperi ndaj qytetarëve që po shtynin drejt barrierës.

Si pasojë e tensioneve, disa protestues janë shoqëruar nga policia.

Sipas raportimeve, një pjesë e deputetëve të Partisë Socialiste kishin hyrë në sallën e Kuvendit përpara nisjes së protestës. Ndërkohë, makina e kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, është goditur me vezë dhe miell.

Tubimi i sotëm vjen pas protestës së mbajtur të martën, më 30 qershor, dhe është pjesë e protestave që po zhvillohen prej 33 ditësh në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Protestuesit kundërshtojnë planin për investime në Zvërnec dhe kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Në protestën e 30 qershorit pati gjithashtu përplasje me forcat e rendit, pas të cilave 31 persona u shoqëruan në polici.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit