

Në një takim me pensionistët, sot herët në mëngjes, ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, prezantoi masat e reja të qeverisë për rritjen e të ardhurave të pensionistëve.
Ajo tha se rritja ekonomike e viteve të fundit ka krijuar mundësinë që përfitimet të rishpërndahen tek qytetarët, veçanërisht tek pensionistët.
"Prej shumë vitesh kemi folur për dëshirën dhe nevojën për të rritur të ardhurat e pensionistëve. Qëllimi ynë ka qenë që rritja ekonomike të mos mbetet vetëm një shifër statistikore, por të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e përditshme të pensionistëve", tha ministrja.
Sipas saj gjatë pesë viteve të fundit ekonomia shqiptare ka shënuar rezultate pozitive, me rritje të të ardhurave buxhetore, të qarkullimit të bizneseve dhe të pagave, duke krijuar bazën financiare për një politikë më të fortë sociale në mbështetje të pensioneve.
Duke u ndalur te politika e pensioneve, Ibrahimaj kujtoi se qeveria ka garantuar çdo vit indeksimin e pensioneve për të mbrojtur fuqinë blerëse nga inflacioni, ndërsa këtë mandat ka ndryshuar edhe skemën e bonuseve.
"Vendosëm që bonusi i pensioneve të mos jepej vetëm në fund të vitit, por të kthehej në një mbështetje mujore për pensionistët", deklaroi Ibrahimaj.
Ajo njoftoi se objektivi i qeverisë mbetet që, në fund të mandatit, pensioni mesatar për qytetarët me vite të plota pune të arrijë në 400 euro, ndërsa për ata me vite të pjesshme pune në 220 euro, përmes politikës së kompensimit të të ardhurave dhe bonuseve mujore.
Ministrja bëri të ditur se politika e bonuseve mujore për vitin 2026 financohet me 10,4 miliardë lekë, ndërsa qeveria ka vendosur që çdo e ardhur shtesë e krijuar nga rritja ekonomike të rishpërndahet në favor të pensionistëve.
"Që në fillim të mandatit kemi deklaruar se çdo e ardhur shtesë, e krijuar si rezultat i rritjes ekonomike, do të shkojë për pensionistët", deklaroi ministrja.
Në këtë kuadër, Ibrahimaj vuri në dukje se, pas vendimit të Këshillit të Ministrave, ka nisur shpërndarja e bonusit të verës prej 5 000 lekësh, i cili u kalon mbi 777 mijë përfituesve të skemave të pensioneve dhe trajtimeve të veçanta financiare, njëkohësisht me pagesën e pensionit. Për këtë bonus janë vënë në dispozicion 3,9 miliardë lekë.
Sipas saj, së bashku me fondin për bonuset mujore dhe efektin e indeksimit të pensioneve, mbështetja shtesë për pensionistët gjatë vitit arrin në rreth 17 miliardë lekë, ose 170 milionë euro.
Ministrja tha se plani është për të vazhduar rritjen graduale të pensioneve.
"Jemi të vendosur që të realizojmë objektivat që kemi përcaktuar dhe çdo e ardhur shtesë që do të gjenerohet nga ekonomia shqiptare do të rikthehet në mbështetje të pensionistëve shqiptarë", deklaroi Ibrahimaj. /noa.al
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






