Transmetuar më 02-07-2026, 08:17

Kuvendi i Shqipërisë do të zhvillojë këtë të enjte, në orën 10:00, seancën e radhës plenare, ndërsa jashtë godinës pritet të mbahet një protestë e thirrur nga pjesëmarrës të tubimit të zhvilluar një ditë më parë para Kryeministrisë.

Gjatë protestës së 32-të, disa nga folësit bënë thirrje për një tubim para Parlamentit, duke kërkuar rrethimin e godinës dhe bllokimin e hyrjes së deputetëve në sallën e seancave. Këto deklarata u shoqëruan me tone të ashpra, ndërsa autoritetet nuk kanë bërë ende të ditur masat që do të merren për garantimin e rendit dhe sigurisë.

Në rendin e ditës së seancës plenare janë parashikuar dy interpelanca. Deputetja Ina Zhupa ka kërkuar interpelancë me ministrin e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ndërsa deputeti Klevis Balliu do të zhvillojë një seancë pyetje-përgjigje me ministrin e Drejtësisë, Toni Gogu.

Gjithashtu, deputetët pritet të shqyrtojnë projektrezolutën për vlerësimin e veprimtarisë së Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi për vitin 2025, si dhe disa projektligje që lidhen me ratifikimin e një marrëveshjeje financiare me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), ndryshimet në ligjin për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore, si dhe ndryshimet në ligjin për Shërbimin Informativ Kombëtar.

Seanca do të mbyllet me diskutimet për çështje jashtë rendit të ditës.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit