Transmetuar më 02-07-2026, 07:58

Çmimet e apartamenteve në kullat rezidenciale të Tiranës vijojnë të shënojnë rritje të ndjeshme, duke arritur në mbi 6 mijë euro për metër katror në disa prej projekteve më elitare të kryeqytetit.

Sipas njoftimeve të publikuara nga agjencitë imobiliare, një apartament me sipërfaqe 154 metra katrorë në kullën **"Downtown One"** ofrohet për shitje me çmimin 950 mijë euro, ose rreth 6,200 euro për metër katror.

Agjentët e tregut të pasurive të paluajtshme bëjnë të ditur se në këtë godinë kanë mbetur vetëm pak njësi të disponueshme, kryesisht apartamente të mobiluara dhe të pabanuara më parë.

Krahasuar me vitin 2021, kur çmimet në të njëjtin objekt varionin nga 3,200 deri në 3,400 euro për metër katror, vlera e apartamenteve është rritur me 82 deri në 94 për qind, duke u afruar me dyfishimin brenda pesë viteve.

Rritja e vazhdueshme e çmimeve, në një ritëm dukshëm më të shpejtë se ai i të ardhurave, ka rikthyer debatin mbi mbivlerësimin e tregut dhe mundësinë e krijimit të një flluske në sektorin e pasurive të paluajtshme.

Sipas të dhënave të INSTAT, paga mesatare mujore bruto në tremujorin e parë të vitit 2026 arriti në 90,119 lekë, me një rritje prej 9.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Megjithatë, kjo rritje mbetet shumë larg ritmit me të cilin janë shtrenjtuar banesat.

Nga ana tjetër, agjentët imobiliarë raportojnë një ngadalësim të kërkesës krahasuar me një vit më parë. Sipas tyre, kjo lidhet edhe me zhvillimet e fundit në vend, përfshirë hetimet e SPAK ndaj grupeve kriminale, të cilat kanë ndikuar në frenimin e një pjese të investimeve në tregun e pasurive të paluajtshme.

Megjithëse interesi për blerje është zbehur, kjo nuk është reflektuar ende në uljen e çmimeve.

Ekspertët e tregut vlerësojnë se përballueshmëria e banesave në Shqipëri po përkeqësohet. Sipas tyre, një çift me të ardhura mesatare ka nevojë për rreth 15 deri në 19 vite për të blerë një apartament, ndërsa mesatarja në vendet e Bashkimit Evropian varion nga 10 deri në 12 vite.

Edhe të dhënat e fundit të Bankës së Shqipërisë sinjalizojnë një ftohje graduale të sektorit. Treguesi i besimit në ndërtim shënoi rënie gjatë muajit qershor, ndërsa pritshmëritë për çmimet në të ardhmen janë vlerësuar më të ulëta.

Ndërkohë, sipas indeksit Fischer të Bankës së Shqipërisë, çmimi mesatar i banesave të shitura në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2025 u rrit me 28% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndonëse ritmi i rritjes rezulton më i ngadaltë se ai i regjistruar në gjysmën e parë të vitit.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit