Transmetuar më 02-07-2026, 07:56

Një analizë krahasuese e publikuar nga Monitor, në bashkëpunim me korrespondentët e saj në vendet e Ballkanit Perëndimor, tregon se Shqipëria renditet në krye të rajonit për nivelin e pagave të Presidentit dhe Kryeministrit në raport me pagën mesatare në vend.

Sipas të dhënave, paga mesatare mujore bruto në Shqipëri për vitin 2025 ka arritur në rreth 860 euro. Megjithatë, ajo vijon të mbetet 30-50% më e ulët krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, ku Serbia kryeson me rreth 1,290 euro, e ndjekur nga Bosnjë dhe Hercegovina me 1,245 euro, Mali i Zi me 1,203 euro dhe Maqedonia e Veriut me rreth 1,100 euro.

Në Shqipëri, Presidenti përfiton një pagë mujore bruto prej 425 mijë lekësh, ose rreth 4,470 euro, që përfaqëson 5.2 herë pagën mesatare në vend. Ndërkohë, Kryeministri paguhet 393 mijë lekë bruto në muaj, ose rreth 4,130 euro, ekuivalente me 4.8 herë pagën mesatare kombëtare. Sipas raportit, kjo është paga më e lartë mes kryeministrave të Ballkanit Perëndimor.

Edhe për sa i përket pagës neto, drejtuesit më të lartë të shtetit shqiptar renditen në krye të rajonit. Presidenti përfiton rreth 3,400 euro neto në muaj, ndërsa Kryeministri rreth 3,200 euro, shifra që tejkalojnë edhe pagat bruto të shumicës së homologëve të tyre në rajon.

Bosnjë dhe Hercegovina renditet e dyta për nivelin e pagave të drejtuesve të lartë, megjithëse raporti i tyre me pagën mesatare është më i ulët për shkak të nivelit më të lartë të të ardhurave në vend. Në Mal të Zi, Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Kosova, pagat e presidentëve dhe kryeministrave variojnë nga 1.5 deri në 3 herë mbi pagën mesatare kombëtare.

Analiza evidenton se, ndonëse Shqipëria ende nuk ka arritur nivelin e pagave mesatare të vendeve të tjera të rajonit, diferenca mes pagave të drejtuesve të lartë të shtetit dhe të ardhurave mesatare të qytetarëve është më e madhja në Ballkan.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit