Transmetuar më 02-07-2026, 08:05

Qeveria i kalon RAMS Albania 88.5 hektarë tokë shtetërore në Vlorë për zonë të lirë ekonomike

Qeveria shqiptare ka vendosur të vërë në dispozicion të kompanisë RAMS Albania një sipërfaqe prej 88.5 hektarësh tokë shtetërore në Vlorë, ku parashikohet të ndërtohet një zonë e lirë ekonomike.

Vendimi është miratuar nga Këshilli i Ministrave në mbledhjen e fundit, përmes transferimit të kësaj sipërfaqeje në Fondin e Pasurive të Paluajtshme për Mbështetjen e Investimeve Strategjike.

Në vendimin e qeverisë thuhet se pasuritë e paluajtshme shtetërore do të përdoren për zhvillimin dhe realizimin e projektit strategjik “Vlorë TEDA/RAMS Free Zone”, nga kompania investuese “Rams Albania” sh.p.k., me NUIS M42427018I.

Ky projekt kishte marrë më herët statusin e Investimit Strategjik. Në muajin shkurt, Komiteti i Investimeve Strategjike miratoi dhënien e këtij statusi për “Vlorë TEDA/RAMS Free Zone”.

Sipas vendimit të KIS, vlera e investimit parashikohet të arrijë në 100 milionë dollarë. Projekti pritet të krijojë rreth 10 mijë vende pune, duke u paraqitur si një nga zhvillimet më të mëdha të planifikuara në zonën e Vlorës.

Në dokumentet e Komitetit të Investimeve Strategjike, projekti përshkruhet si një ekosistem industrial, logjistik dhe inovativ. Ai pritet të përfshijë fusha si teknologjia industriale, automatizimi dhe inteligjenca artificiale.

Po ashtu, në zonën e lirë ekonomike parashikohet të ketë përpunim mekanik të lehtë të metaleve, duke kombinuar metalurgjinë e pastër me aktivitete të kufizuara në përpunim mekanik të lehtë dhe trajtime sipërfaqësore jo-ndotëse. Pjesë e projektit është edhe energjia e rinovueshme.

Kush qëndron pas kompanisë RAMS Albania

RAMS Albania zotërohet nga Mehmet Faruk Burbul, i cili është njëkohësisht edhe pronari i korporatës RAMS Global.

RAMS Global është një kompani ndërkombëtare shumësektoriale, me seli në Almaty të Kazakistanit. Kompania e ka origjinën në sektorin e pasurive të paluajtshme dhe ndërtimit, por më pas është zgjeruar në fusha të ndryshme.

Grupi drejtohet në nivel global nga Faruk Bülbül dhe operon në shtatë vende, mes tyre Kazakistani, Turqia, Tajlanda dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

RAMS Global është gjithashtu sponsori kryesor i stadiumit të klubit turk Galatasaray S.K. në Stamboll, i njohur me emrin RAMS Park.

Imazhi publik i kësaj kompanie është aktori turk Burak Özçivit, i cili njihet gjerësisht edhe nga publiku shqiptar për rolin e tij në serialin e famshëm turk, ku identifikohet nga shumë shikues si “Osmani”.

Në qershor të vitit të kaluar, aktori turk vizitoi Vlorën, ku u prit edhe nga kryebashkiaku i atëhershëm, Ermal Dredha.

Në atë kohë, në media u raportua se Burak Özçivit kishte zgjedhur Vlorën për të kaluar pushimet. Megjithatë, në dritën e zhvillimeve të fundit, duket se vizita e tij mund të ketë pasur edhe prapavijë biznesi, pasi RAMS ishte në negociata me qeverinë shqiptare për projektin e zonës së lirë ekonomike në Vlorë.

Dokumenti i plotë

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit