Transmetuar më 02-07-2026, 07:33

Kombëtarja e Shteteve të Bashkuara ka siguruar kualifikimin në fazën e 1/8-ave të Kupës së Botës 2026, pasi triumfoi 2-0 ndaj Bosnjë dhe Hercegovinës në sfidën e zhvilluar në Santa Clara.

Skuadra e drejtuar nga Mauricio Pochettino rikthehet kështu te një fitore në fazën me eliminim direkt të Botërorit për herë të parë që nga edicioni i vitit 2002, kur mposhti Meksikën.

Amerikanët e nisën takimin në sulm dhe në minutën e 20-të panë t’u anulohej një gol i Folarin Balogun për pozicion jashtë loje. Sulmuesi reagoi në fundin e pjesës së parë, duke zhbllokuar rezultatin në minutën e 45-të dhe duke i dhënë avantazhin SHBA-së.

Në pjesën e dytë, Balogun u shndërrua sërish në protagonist, por këtë herë në kahun negativ. Në minutën e 64-t ai u ndëshkua me karton të kuq pas një ndërhyrjeje të rëndë, duke i lënë vendasit me dhjetë futbollistë. Ndërkohë, Bosnjë dhe Hercegovina humbi për shkak dëmtimi kapitenin Edin Džeko, i cili u zëvendësua në minutën e 51-të.

Pavarësisht inferioritetit numerik, SHBA-ja vijoi të ishte skuadra më këmbëngulëse dhe në minutën e 82-të vulosi fitoren. Malik Tillman realizoi një supergol nga goditja e dënimit pranë zonës, duke mposhtur portierin kundërshtar dhe fiksuar rezultatin përfundimtar 2-0.

Me këtë sukses, SHBA-ja avancon në fazën e 1/8-ave, ku më 7 korrik do të përballet me Belgjikën. Nga ana tjetër, Bosnjë dhe Hercegovina i jep fund rrugëtimit të saj në Botërorin 2026.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit