Transmetuar më 02-07-2026, 07:30

Belgjika është kombëtarja e radhës që siguron një vend në fazën e 1/8-ave të Kupës së Botës 2026, pasi triumfoi me rezultatin 3-2 ndaj Senegalit në një ndeshje spektakolare, të mbushur me emocione, kthesa dhe tension deri në sekondat e fundit.

Takimi, i zhvilluar në Seattle, nisi të mërkurën në mbrëmje sipas orës shqiptare dhe përfundoi në orët e para të së enjtes, pas plot 132 minutash lojë.

Senegali e mbylli pjesën e parë në avantazh falë golit të Habib Diarra në minutën e 25-të. Afrikanët e thelluan epërsinë menjëherë në fillim të pjesës së dytë, kur Ismaila Sarr realizoi për 2-0, duke i afruar drejt kualifikimit.

Megjithatë, Belgjika reagoi në momentet vendimtare. Romelu Lukaku, i aktivizuar nga stoli, ngushtoi diferencën në minutën e 86-të, ndërsa kapiteni Youri Tielemans barazoi shifrat 2-2 në fundin e kohës së rregullt, duke e çuar sfidën në 30 minutat shtesë.

Edhe koha shtesë dhuroi emocione të shumta, me raste në të dyja portat. Momenti vendimtar erdhi në minutën e 122-të, kur arbitri akordoi një penallti për Belgjikën pas rishikimit të një ndërhyrjeje me sistemin VAR.

Nga pika e bardhë u tregua i saktë Youri Tielemans, i cili mposhti portierin Diaw dhe realizoi golin e tretë për Belgjikën, si edhe të dytin personal në këtë takim.

Në minutat e mbetura Senegali kërkoi me ngulm barazimin dhe pati një mundësi të artë në fund, por nuk arriti ta konkretizonte, duke i lënë belgët të festonin një kualifikim dramatik me përmbysje.

Në fazën e 1/8-ave, Belgjika do të përballet me fituesin e çiftit SHBA – Bosnje dhe Hercegovinë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit